Katalonia pezullon shpalljen e pavarësisë, “i jep kohë dialogut”

Barcelonë | 10 Tet 2017 | 19:50 | Nga

Presidenti i Katalonisë, Carles Puigdemont, e ka “pezulluar” shpalljen e Pavarësisë së Katalonisë, në parlamentin regjional në Barcelonë.

Përderisa e ka suspenduar deklaratën për pavaresinë e Katalonisë, Puigdemont ka thënë që dëshiron të ndjek vullnetin e qytetarëve për pavarësi.

Megjithatë, ai ka thënë që ka nevojë për pak kohë që të filloj një dialog të brendshëm dhe ndërkombëtarë për Kataloninë.

Puigdemont ka thënë që është e rëndësishme që të ulen tensionet dhe të mos kontribuohet në rritjen e tyre përmes fjalëve apo veprimeve.

“Nuk kam planifikuar kurrë asnjë kërcënim apo ofendim ndaj dikujt. Jemi të gjithë pjesë e të njëjtit komunitet”, kanë qenë fjalët e para të presidentit të Katalonisë, në fjalimin e shumëpritur për të adresuar çështjet e pavarësisë së rajonit të pasur verilindor nga Spanja.

“Ishte hera e parë që një votim zhvillohej nën sulmin e policisë, e kjo për shkak se qeveria spanjolle është sjellë në një mënyrë agresive ndaj nesh. Megjithatë, më shumë se dy milionë njerëz mposhtën frikën dhe dolën për të votuar”, tha më tej Carles Puigdemont.

“Çështja katalanase nuk është një çështje vetëm e jona, por e të gjithë Europës. Që prej përmbysjes së diktaturës së Frankos, Katalunja ka kontribuuar gjithnjë për demokraci dhe paqe, sepse kjo është e vetmja rrugë për të ecur përpara. Ne kemi dashur gjithmonë të uleshim në bisedime me qeverinë e Madridit”, ka theksuar më tej Puigdemont.

E menjëherë pas këtij fjalimi ka ardhur edhe vendimi i shumëpritur për katalunasit, e i shumëkritikuar nga qeveria qendrore spanjolle, për shpalljen e pavarësisë së rajonit autonom nga Spanja. “Tashmë ka ardhur momenti deciziv për Kataloninë, e unë si president ndjek vullnetin e popullit për ta shpallur të pavarur Kataloninë. Por dua të marr ende kohë për t’i dhënë mundësi dialogut, duke pezulluar efektet e shpalljes së pavarësisë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme