Katastrofa humanitare në Mianmar shqetëson OKB-në

Prishtinë | 03 Sht 2017 | 11:15 | Nga

OKB-ja i druhet një katastrofe humanitare në Mianmar, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 20 mijë myslimanë “Rohingia” kanë kaluar kufirin me Bangladeshin.

Grupet e të drejtave të njeriut po i bëjnë thirrje qeverisë së Mianmarit të lejojë hyrjen e monitoruesve në zonat e prekura nga ky fenomen, për të mësuar se çfarë po ndodh saktësisht atje.

Që nga shpërthimi i dhunës më 25 gusht, 60 mijë pjesëtarë të këtij komuniteti janë shpërngulur në vendin fqinj, sipas të dhënave të agjencisë ndërkombëtare të refugjatëve, UNHCR.

Java e fundit e gushtit ka sjellë episodet më të egra të dhunës sektare në Mianmar, prej vitesh të tëra, me forcat vendase të sigurisë dhe militantët “Rohingia” që akuzojnë njëri-tjetrin për djegie të fshatrave dhe masakra në masë.

Gati 400 persona janë vrarë sipas zyrtarëve të mbrojtjes, shumica kryengritës. Ushtria e Mianmarit pretendon se janë miliantët, ata që i kanë vënë flakën mijëra shtëpive, por dëshmitë e refugjatëve “Rohingia” në Bangladesh tregojnë të kundërtën. Ata thonë se banesat e tyre i kanë shkatërruar forcat e sigurisë, të cilat i veshin edhe me përgjegjësinë e masakrave ndaj civilëve.

“Rohingiat” në Mianmar trajtohen si “rezidentë etnikë”, e shpeshherë u mohohet edhe e drejta e nënshtetësisë. “Human Rights Watch” jep alarmin se gjendja është shumë më e keqe nga sa mendohej, duke cituar në mbështetje të deklaratës së saj edhe pamjet satelitore që tregojnë nivelin e gjerë të shkatërrimeve në fshatrat myslimane të shtetit verior Rakhine.

Që prej shpërthimit të dhunës, agjencitë ndërkombëtare të ndihmës dhe ato të sigurimit ushqimor i kanë pezulluar operacionet e tyre në Rakhine, përfshirë këtu dhe programin botëror të ushqimit.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme