Agjencia japoneze e motit e ka shpallur valën e të nxehtit që ka mbërthyer vendin, një katastrofë natyrore me të paktën 65 viktima të regjistruara në dy javët e shkuara.
Një zëdhënës i agjencisë paralajmëroi se nivelet të paprecedenta të të nxehtit, janë regjistruar në disa zona. Më shumë se 22 mijë vetë janë shtruar në spitale si pasojë e atakëve kardiake, me rreth gjysmën e tyre të moshuar.
Vala e të nxehtit ndërkohë nuk po jep shenja dorëzimi. Të hënën, qyteti Kumagaja raportoi një temperaturë prej 41.1 gradësh celsius, më e larta e regjistruar ndonjëherë në Japoni. Në Tokion qendrore ndërkohë temperatura mbi 40 gradë celsius, është regjistruar po ashtu për të parën herë, shkruan Tch.
Agjencia meteorologjike japoneze paralajmëroi se temperatura prej 35 gradësh celsius ose edhe më të larta do të vazhdojnë deri në fillim të gushtit. “Po përjetojmë nivele të paprecedenta të të nxehtit në disa zona”, tha zëdhënësi i agjencisë, duke shtuar se vala e të nxehtit ishte një kërcënim për jetët e njerëzve dhe se ajo është njohur tashmë si katastrofë natyrore.
Me më pak se gjysmën e shkollave publike në Japoni të pajisura me ajër të kondicionuar, një zëdhënës i qeverisë tha se pushimet e verës mund të zgjaten për të mbrojtur nxënësit.
Njerëzit janë këshilluar të konsumojnë shumë ujë, të përdorin ajrin e kondicionuar dhe të pushojnë më shpesh. Në disa qytete, njerëzit kanë marrë pjesë në evente të njohura si Uchimizu, apo ceremonia e ujit, duke derdhur ujë të ftohtë në sipërfaqe të ngrohta në përpjekje për ti freskuar ato.
Vala e të nxehtit pasoi shirat e rrëmbyeshëm që shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu në Japoninë perëndimore.