Dy federatat më të suksesshme të sporteve individuale, Xhudos dhe Karatesë, janë përfshirë në kategorinë e parë (A), por dy të tjerat, me sukseset e të cilave është krenuar gjatë sporti i Kosovës dhe shqiptarët në të kaluarën, e Boksit dhe Mundjes, janë lënë në kategorinë e dytë (B), shkruan sot Koha Ditore.
Sipas raportit përfundimtar të procesit të kategorizimit të sporteve dhe sportistëve të siguruar nga gazeta, e i cili do të bëhet publik sot (e mërkurë), katër sportet e tjera të kategorisë A janë ato kolektive: futbolli, hendbolli, basketbolli dhe volejbolli.
Procesi i kategorizimit ka përfunduar dhe ai është përcjellë me shumë kritika, mospajtime e refuzime, disa nga të cilat edhe janë vënë në pah në këtë raport.
Në raport është dhënë shpjegimi për secilën federatë, ndërkohë që është bërë edhe kategorizimi i sportistëve, të cilët do të subvencionohen ndaras nga federatat që u përkasin.