Katër komuna të rajonit jugor të Kosovës rishtazi kanë njoftuar se kanë nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për realizimin e projekteve të ndryshme. Vlera e mjeteve që do të barten nga niveli qendror për jetësimin e këtyre projekteve shkon nga 50 mijë deri në 60 mijë euro për komunë.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se në bashkëfinancim me MAPL-në do të zbatohet projekti i ndërtimit të parqeve në Komunë në vlerë prej 70 mijë eurove, me ç’rast niveli qendror projektin do ta financojë me 50 mijë euro, kurse Komuna do të marrë pjesë me 20 mijë euro. Sipas tij, ujdia është pjesë e grantit të performancës për komuna, shkruan sot Koha Ditore.
“50 mijë euro nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i kemi fituar për krijimin e parqeve të reja nga marrëveshja për bashkëfinancim. Kjo do të realizohet në vitin 2019. Kjo marrëveshje është realizuar si rezultat i performancës së Komunës së Suharekës. Puna dhe angazhimi serioz vazhdojnë në Komunën e Suharekës”, ka bërë të ditur Muharremaj, përmes rrjeteve sociale.