Katër mami, një pastrues e dy punëtore të shërbimit teknik u suspenduan nga Spitali i Pejës lidhur me rastin ku dyshohet se foshnja u fut në rrobalarëse

Prishtinë | 22 Dhj 2022 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Pejë- Spitali i Pejës njofton se në mesin e shtatë punonjësve që janë suspenduar lidhur me rastin e foshnjës së lindur pa shenja jete, që dyshohet se u fut në rrobalarëse, janë katër mami, një pastrues dhe dy punëtore të shërbimit teknik.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Spital i Pejës njofton se në objekt kanë një personel të sigurimit të përbërë prej 15 personave.

“Siç kemi deklaruar për opinionin deri më tani, ende pa u mbyll procedura disiplinore nga ana jonë dhe as hetimet nga ana e organeve hetuese që kanë filluar më datë 14.14.2022 janë suspenduar 7 të punësuar dhe atë 4 mami, 1 pastrues dhe 2 punëtore të shërbimit teknik”, thuhet në përgjigjen e Spitalit.

Lidhur me këtë rast, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Themelore në Pejë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK), por deri në momentin e publikimit të këtij raporti, nuk kemi marrë përgjigje.

Ndryshe, më 21 dhjetor, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” rastin ku dyshohet se foshnja që u lind pa shenja jete, u fut në rrobalarëse.

“Rasti ka ndodhur javën e kaluar, Kryeprokurori së bashku me Inspektoratin e Shëndetësisë kanë dalë në vendngjarje, ku janë ndërmarrë disa veprime të caktuara dhe janë në pritje disa rezultate nga Inspektorati për këto veprime”, tha Nikçi.

Kurse, pas raportimit të rastit në medie, Spitali i Pejës doli me njoftim se ka suspenduar shtatë punonjës dhe se rasti është duke u hetuar.

Të ngjashme