Katër raste të dhunës të raportuara në Polici gjatë 24 orëve të fundit

Prishtinë | 23 Jan 2022 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë raportuar katër raste të dhunës në familje, shkruan Gazeta Sinjali.

Rastet kanë ndodhur në Suhodoll, Prishtinë, Suharekë dhe Rahovec.

Rasti i parë raportohet se ka ndodhur dje, ku një person në Suhodoll ka sulmuar fizikisht motrën e tij, ku kësaj të fundit nga plagët e marra iu është ofruar edhe tretman mjekësor. Ndërsa, i dyshuari nuk është hasur nga policia, ku rasti sipas tyre është ende në hetime.

Rasti i dytë ka ndodhur në pasditen e djeshme në Prishtinë, ku një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj i ka shkaktuar dhunë psikike dhe ditëve të fundit e ka kanosur përmes SMS-ve në telefon. Lidhur edhe me këtë rast i dyshuari nuk është hasur nga policia. Ndërkohë, është konsultuar edhe prokurori i shtetit dhe rasti është ende në hetime.

Ndërkohë, në lidhje me rastin e dhunës në familje që ka ndodhur dje në Fushë-Kosovë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar që është i mitur. Pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti i tretë i dhunës në familje ka ndodhur dy ditë më parë në Suharekë, ku babai ka tentuar që vajzën e tij ta godas me shufër metalike, ku më pas i kishte dëmtuar edhe veturën e saj. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, rasti i fundit i raportuar në 24 orët e fundit ka ndodhur në Rahovec, ku nga Policia e Kosovës është cilësuar edhe “Kanosje” për shkak që një person dyshohet që ka ushtruar dhunë psikike dhe kërcënim ndaj bashkëshortes së tij. Në shtëpinë e tij, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka gjetur dhe sekuestruar pesë fishek të kalibrave të ndryshme, një karikator të zbrazët dhe një mjet të mprehtë. Në lidhje me rastin i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme