Katër vjet nga fitorja e VV-së: Vazhdojmë qeverisjen në interes të qytetarëve

Prishtinë | 06 Tet 2023 | 17:40 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka kujtuar se sot janë bërë 4 vjet prejse ka ardhur në pushtet. Me sloganin “Erdhi dita”, kujton edhe fjalët që i pati thënë Albin Kurti, tash kryeministër.

“4 vjet janë mbushur sot nga fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me 6 tetor, 2019. 4 vjet prej kur u kthye shpresa e filloi ndryshimi. 6 tetori është fitorja e popullit të Kosovës. Vazhdojmë të qeverisim së bashku me qytetarët për interesin dhe të mirën e përgjithshme në Republikën tonë”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Lëvizja Vetëvendosje doli të jetë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019.

“Ky është fillimi i Qeverisë së re, po punojmë të çkapim shtetin nga e keqja”, kishte thënë Kurti.

Më 3 shkurt 2020, me shumicë votash, Kuvendi pati votuar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti. Qeveria e re, (Qeveria Kurti I) ishte rezultat i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që më vonë u prish, shkruan Reporteri.net.

Partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë pasur në vazhdimësi mospajtime në lidhje me shfuqizimin e tarifës ndaj importeve nga Serbia, që shihej si pengesë për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi. Heqjen e tarifën e kanë kërkuar më ngulm Shtetet e Bashkuara.

Mirëpo, kulmi i përçarjes mes koalicionit qeverisë arriti më 18 mars kur kryeministri, Albin Kurti (VV) shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm, Agim Veliun (LDK), pasi ai doli në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë kjo që u kundërshtua nga kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës tashmë kishte shpallur gjendjen e emergjencës së shëndetit publik për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në mars të vitit 2020, pati thënë se me përkrahje të vendimit të kryesisë së LDK-së, nisën mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Pasi vendi shkoi prap në zgjedhje, sërish Kurti u bë kryeministër.

Më 22 mars 2021, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Qeverinë e Kurtit e mbështetën deputetët e komuniteteve joserbe.

Të ngjashme