Organet komunale të Prizrenit kanë intensifikuar punët për vendosjen e tabelave me emrat e rrugëve dhe shesheve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mirëpo një gjë e tillë ka ngjallur reagime te qytetarët, lidhur me ndryshimin e emrave në rrugë e sheshe të caktuara. Për këtë çështje, Komuna e Prizrenit të mërkurën ka publikuar një sqarim në lidhje me këtë projekt, me ç’rast ka bërë të ditur se procesi i emërtimit të rrugëve ka përfunduar para 4 vjetësh.
“Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike, këto ditë po punon me intensitet të shtuar për finalizimin e projektit për vendosjen e tabelave për emërtimin e rrugëve dhe shesheve në Komunën e Prizrenit. Emërtimi i rrugëve dhe i shesheve është përcaktuar nga një komision prej 10 anëtarësh, i formuar në fillim të vitit 2014, ndërsa puna e këtij komisioni ka përfunduar me miratimin e propozimit për emërtimin e rreth 1800 rrugëve dhe shesheve në mbledhjen e Kuvendit të Komunës, që ishte mbajtur në maj të vitit 2015”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit. Ekzekutivi komunal ka bërë të ditur se tani vetëm po ekzekutohet vendosja e tabelave, punë kjo që sipas zyrtarëve komunalë është dashur të përfundonte vite më parë.