Sipas një analize në baza gjashtë mujore të KDI-së, Komuna e Rahovecit në raport me komunat e tjera në rajonin e Prizrenit është vlerësuar se ka performancë më të mirë në raport me transparencën e punës së Kuvendit të Komunës me 28.7 pikë.
Pas saj renditen Komuna e Malishevës me 24.0 pikë, Komuna e Prizrenit me 23.0 pikë, Komuna e Suharekës dhe Dragashit me nga 18.3 pikë dhe më së paku transparente është Komuna e Mamushës me 12.0 pikë.
Analiza e KDI-së “Transparometri Komunal”, si mekanizëm i efektshëm i matjes dhe krahasimit të transparencës është bërë në gjashtë komunat e regjionit të Prizrenit (Prizren, Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash dhe Mamushë).
Qendresa Hamzaj hulumtuese nga KDI- ja, gjatë konferencës prezantoi metodologjinë e cila tha se “matja e transparencës së komunave është realizuar përmes një indeksi, i cili përbëhet nga 44 indikatorë matës të transparencës komunale dhe është i bazuar në katër shtyllat e vlerësimit: Transparenca në Zyrën e kryetarit/es, Kuvendin e Komunës, financat komunale si dhe transparencën në konsultim me publikun. Secila nga katër shtyllat përmban gjithsej 11 indikatorë”.
Në bazë të gjeturave të analizës mbi transparencën e gjashtë komunave të regjionit të Prizrenit të matur për periudhën gjashtë mujore (janar-qershor 2016), Komuna e Rahovecit ka qenë komuna më transparente nga gjashtë komunat tjera me 70.7 %. Pas saj renditen Komuna e Malishevës (61.9 % transparente), Komuna e Prizrenit (59.6 % transparente), Komuna e Suharekës (56.2 % transparente), Komuna e Dragashit (54.0 % transparente) dhe Komuna e Mamushës me (23.1% transparente).
Zyrtari i KDI-s Naim Cahani tha se radhitja e komunave për nga performanca më e mirë sa i përket Zyrës së kryetarit/es, është Komuna e Rahovecit me 25.3 pikë (nga 35 pikë të mundshme) pasuar nga Komuna e Malishevës (20.3 pikë), Komuna e Prizrenit (17.7 pikë), Komuna e Dragashit (14.3 pikë), Komuna e Suharekës (12.7 pikë) dhe Komuna e Mamushës (5.0 pikë).
“Komuna e Rahovecit në raport me komunat tjera tregoj performancë të mirë në raport me transparencën e punës së Kuvendit të Komunës me 28.7 pikë, Komuna e Malishevës (me 24.0 pikë), Komuna e Prizrenit (me 23.0 pikë), Komuna e Suharekës dhe Dragashit me nga (18.3 pikë) dhe më së paku transparente del të jetë Komuna e Mamushës (12.0 pikë)” shtoi më tutje ai gjatë prezantimit të analizës në baza gjashtë mujore.
Komuna e Suharekës prinë me performancë në kuadër të financave komunale me 27.7 pike, Komuna e Rahovecit (27.3 pikë), Komuna e Dragashit (26.0 pikë), Komuna e Prizrenit (25.0 pikë), Komuna e Malishevës (21.0 pikë) dhe Komuna e Mamushës (8.0 pike).
Në shtyllën e konsultimeve publike, komuna e Malishevës në këtë periudhë ka performuar më së miri (21.3 pikë), Komuna e Suharekës (me 20.0 pikë), Komuna e Prizrenit (17.7 pikë), Komuna e Rahovecit (17.6 pikë) Komuna e Dragashit (17.0 pikë), dhe Komuna e Mamushës (me 7.3 pikë).
Nga retrospektiva e nxjerrjes dhe publikimit të kësaj analize në baza gjashtë mujore, pesë nga gjashtë komunat e regjionit të Prizrenit kanë pasur përmirësim të ndjeshëm në indikatorët matës me përjashtim të Komunës së Mamushës e cila ka stagnuar në përmirësimin e indikatorëve bazikë të transparencës komunale.
Ndonëse komunat që kanë qenë pjesë e këtij hulumtimi në mënyrë progresive kanë dëshmuar për përmirësim në transparencë, megjithatë ka hapësirë për të ngritur transparencën në këto fusha:
Kryetarët e Komunave të regjionit të Prizrenit të publikojnë planin vjetor të punës në secilin vit fiskal;
Komunat e regjionit të Prizrenit (pos Suharekës) duhet të shtojnë përpjekjet në transparencë më të madhe në shpenzimet e parasë publike duke promovuar transparencë përmes publikimit të planit vjetor të prokurimit publik;
Katër kryetarët e komunave (Prizren, Rahovec, Suharekë dhe Mamushë) duhet të raportojnë në baza periodike në Kuvendin e Komunës për realizimin e punëve në periudha gjashtëmujore;
Komunat duhet të fokusohen që për secilin dikaster komunal të ofrohet listë e hollësishme duke përfshirë mënyrën dhe procedurat e marrjes së shërbimeve komunale;
Hapjen e të dhënave dhe statistikave për publikun e që do të mund të ndikonte në zhvillim të qëndrueshëm komunal dhe transparencë të shtuar.