Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) mbajti sot konferencë për media gjatë së cilës u paraqiten propozimet konkrete të KDI-së për institucionet, në lidhje me hapat që duhet të ndërmerren në luftën kundër korrupsionit.
Me këtë rast Diana Metushi-Krasniqi nga KDI, ka theksuar se sa i përket çështjes së korrupsionit dhe luftimit të kësaj dukurie, shteti i Kosovës po shfaq një lloj mosinteresimi karshi kësaj çështje dhe ndërmarrjes së hapave konkret në këtë drejtim, raporton Ekonomia Online.
“Duke pasur parasysh se Kosova sipas ‘Transparency International’ është radhitur në vendin e 85-të, e shohim të nevojshme të adresojmë qasjen institucionale në luftimin e korrupsionit. Shumë pak është bërë në luftimin e kësaj dukurie shumë negative. Në të tgjitha raportet ndërkombëtare shihet se Kosova çalon në luftën kundër korrupsionit. Të gjithë jemi dëshmitar të korrupsionit dhe mungesës së veprimeve konkrete të shtetit në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë ajo, duke theksuar faktin që kjo çështje mbetet edhe një kriter për liberalizimin e vizave.
Kurse Florent Spahija nga KDI ka prezantuar pikat të cilat ky institut propozon, që Institucionet e Kosovës duhet të fokusohen që të arrijnë rezutatet konkrete në luftën kundër korrupsioni.
Ai tha se duhet që sa më parë të përfundohen rastet e korrupsionit të profilit të lartë, siç janë rasti “Toka”, “Stenta”, rasti i ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, rasti i ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, rasti i ish-kryesuesit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OShP), Hysni Hoxha.
“Përfundimi sa më i shpejtë i rasteve të mëdha si rasti “Stenta”, Rasti i ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, rasti i ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, Arben Gjuka, drejtor i KEK-ut dhe ish-kryesuesit të OShP-së Hysni Hoxha etj., Rasti Toka (Azem Syla etj). Gjykata Themelore në Prishtinë si më e madhja në vend ka shumicën e rasteve të shënjestruara përfshi edhe këto raste. Raporti i progresit për Kosovën për vitin e kaluar ka vendos si obligim që këto raste duhet të gjykohen dhe të përfundohen që Kosova të shënojë progres në luftën kundër korrupsionit. Përfundimi i këtyre lëndëve njëherit është edhe kriter për liberalizimin e vizave”.
“Veprime të menjëhershme nga Prokuroria e Shtetit, në fillimin e hetimeve apo përfundimin e hetimeve në rastet ku dyshohet për korrupsion si ndërtimi i Autostradave, Shitja e KEK-ut, pagesa e penalltive prej 60 milion euro për Bectel & Enka, dështimi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, privatizimet e ndërmarrjeve publike nga Agjencioni i Privatizimit të Kosovës, etj. Ndjekja penale dhe gjykimi i njerëzve të pushtetshëm të cilët dyshohen për korrupsion dhe krim të organizuar duhet të jetë prioritet i Prokurorit të Shtetit. Prokuroria e Shtetit duhet të kujdeset që të sekuestroi sa më shumë pasuri nga personat që janë të dyshuar për korrupsion e Gjykata pasi që të shpall aktgjykimet nëse i gjen fajtor, atëherë të konfiskoj sa më shumë pasuri të fituar me vepër penale”.
Spahija shtoi se Kosova ka nevojë të bëjë dekriminalizin e policisë dhe një veting për këtë institucion.
Në mesin e kërkesave të KDI-së është edhe presioni që Qeveria dhe Kuvendi duhet të ushtrojnë ndaj partive politike për të publikuar financat e tyre.
“Dekriminalizimi i policisë dhe vendosje para përgjegjësisë të të gjithë zyrtarëve policorë të përfshirë në korrupsion e krim të organizuar, me një transparencë të shtuar rasteve të cilat janë bërë publike në media. Detyrimin e subjekteve politike që të paraqesin raportet profesionale me të dhëna të sakta në lidhje me financimin e tyre dhe shpenzimet gjatë fushatave zgjedhore si dhe kontrolle të rrepta në deklarimet të cilat i paraqesin ato. Detyrimin e ndërmarrjeve publike të nivelit qendror e lokal që të jenë transparente dhe llogaridhënëse para publikut. Depolitizimin e të gjitha bordeve të këtyre ndërmarrjeve publike”.
Ndërsa Metushi-Krasniqi, shtoi se duhet të depolitizohen organet e OShP-së, derisa i bëri thirrje Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) që të mos bëjë mbylljen e pjesshme të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publik.
“Kuvendi i Kosovës duhet të kujdeset që të depolitizohet institucioni i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP-së) si dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP-së) sipas rekomandimeve të dala nga Raporti i Progresit për Kosovën. Kuvendi i Kosovës ka për obligim që të zgjedhë sa më shpejtë anëtarët e OShP-së, pasi që për një kohë të gjatë OShP vepron me tre anëtarë nga pesë që duhet të ketë. Kuvendi i Kosovës, konform procedurave ligjore duhet të zgjedhë profesionist të pavarur dhe jo politik për këto dy pozita”.
Ajo ka shtuar se institucionet duhet të fillojnë procesin e vetingut për të gjithë zyrtarët e prokurimit që shpenzojnë para publike.
“Institucionet shtetërore duhet të filloi procesin e vetingut për të gjithë zyrtarët e prokurimit në të gjitha autoritetet kontraktuese që shpenzojnë para publike”.
“Zyra Kombëtare e Auditorit duhet të obligohet që ‘ex-officio’ të i paraqes para Prokurorit të Shtetit të gjitha rastet e shkeljeve të cilat gjenden nga auditorët gjatë auditimit të institucioneve shtetërore”.
“Organi Shqyrtues i Prokurimit duhet të obligohet që të gjitha shkeljet të cilat i gjejnë gjatë ekzaminimit dhe vendosjes së tenderëve të ndryshëm nga autoritetet kontraktuese apo palët në procedurë, që automatikisht me kallëzim penal së bashku me provat ta paraqesin çështjen në Prokurorinë e Shtetit”.
“Hapja e të gjitha kontratave dhe pagesave që realizohen me para publike. Lejim i kontrollit të rreptë në procedurat tenderuese duke ndryshuar qasjen e vlerësimit të ofertave”.