Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizoi sot tryezën në Ferizaj me temën “Dialogu Kosovë-Serbi: këndvështrimi i qytetarëve të rajonit të Ferizajt”.
Pjesë e këtij diskutimi ishte deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sami Kurteshi, Medain Hashani përfaqësues nga PDK-ja, Albulena Nrecaj nga organizata INPO si dhe gazetari Afrim Demiri dhe qytetarë të këtij rajoni, të cilët debatuan mbi ndikimin që dialogu Kosovë-Serbi ka pasur në jetën e qytetarëve të këtij rajoni si dhe pritshmëritë e tyre nga faza e re e dialogut.
Me këtë rast Jeta Krasniqi nga KDI, theksoi se qëllimi i KDI-së është rritja e transparencës së procesit të dialogut.
“Me qëllim të rritjes së transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në proces, KDI ka organizuar takime të vazhdueshme me deputetë, qytetarë, medie, shoqërinë civile dhe akademinë në të gjitha rajonet e Kosovës. Këto takime kanë synuar gjithashtu informimin e qytetarëve rreth marrëveshjeve të arritura të cilat e prekin jetën e qytetarëve. Në këtë mënyrë, KDI ka kërkuar që të dëgjohet zëri i qytetarëve në mënyrë që kërkesat e tyre të integrohen të fazën e ardhshme të dialogut”, ka thënë ajo.
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi ka theksuar se dialogu ka qenë një proces jotransparent, jo vetëm ndaj qytetarëve por edhe ndaj Kuvendit të Kosovës. Qeveria sipas tij, në vazhdimësi e ka shpërfillur Kuvendin dhe ka shmangur diskutimet e brendshëm rreth këtij procesi. Ai shtoi se është e rëndësishme që të ketë një dialog nga poshtë-lartë si dhe të specifikohen parimet bazë të diskutimit.
Kurse Medain Hashani nga PDK-ja, ka thënë se dialogu me Serbinë është një kusht i bashkësisë ndërkombëtare të cilin Kosova duhet ta plotësojë. Ai theksoi se përkundër disa aspekteve negative që mund t’i ketë sjellur dialogu, ai ka sjell edhe shumë të mira si funksionalizmi i gjyqësorit dhe veprimi i policisë në të gjithë Kosovën si dhe vendosja e doganierëve në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak. Ai ka shtuar se në fazën e ardhshme të dialogut do të kërkojnë që të diskutohen temat e përballjes me të kaluarën, dëmet e luftës, si dhe do të kërkojnë nga BE-ja që ta detyrojnë Serbinë t’i paguajë dëmet e luftës. Po ashtu, ai shtoi se PDK-ja është kundër ideve për ndarje, shkëmbim territoresh apo autonomi të serbëve në Kosovë.
Ndërkaq, Albulena Nrecaj drejtoreshë ekzekutive e INPO-s, theksoi se është e rëndësishme që fillimisht të sqarohet statusi i marrëveshjeve të arritura deri më tani, para se të shkohet në fazën e re të dialogut. Ajo potencoi se mungesa e transparencës dhe llogaridhënies kanë qenë dhe mbetën shqetësimet më të mëdha të shoqërisë civile lidhur me dialogun.
Afrim Demiri, gazetarë dhe njohës i zhvillimeve politike, ka theksuar se dialogu i Brukselit është një vazhdimësi e bisedimeve të vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga vitet e ‘90-ta. Ai shtoi se përderisa në përpjekjet për liri, shoqëria dhe lidershipi i Kosovës kanë qenë të bashkuar, një gjë e tillë nuk ka ndodhë gjatë procesit të shtetformimit. Më tutje, Demiri ka theksuar së është e nevojshme që të ketë konsensus ndërmjet spektrit politik në mënyrë që në dialog të paraqitemi të unifikuar.
E qytetarët e rajonit të Ferizajit u shprehën të pakënaqur me mungesën e transparencës dhe të indinjuar me sjelljet e partive politike dhe lidershipit politik. Ata kërkuan që të ketë konsensus të skenës politike në mënyrë që të shkohet në dialog të bashkuar dhe të përgatitur. Ata gjithashtu kërkuan që dialogu të mos shfrytëzohet si mjet për të ardhur në pushtet por të trajtohen si çështje jetike rreth së cilës duhet të jemi të bashkuar.
Ata gjithashtu kërkuan që Kuvendi te miratojë një rezolute e cila e mandaton presidentin të dialogojë, si dhe te diskutohen çështja e te zhdukurve, grave te dhunuara dhe dëmet e tjera të luftës.
Ky diskutim u organizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.