Mungesa e përgjegjësisë individuale dhe llogaridhënies së anëtarëve të komisioneve vlerësuese vazhdon të përcjellë proceset e prokurimit publik. Edhe pse Ligji për Prokurimin Publik parasheh përgjegjësi individuale për vlerësuesit e tenderëve, KDI-ja ka gjetur se deri më tani në praktikë nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor kundër personave që kanë vlerësuar “gabimisht” tenderët në rastet kur këta të fundit janë anuluar apo kthyer në ri-vlerësim.
Gjatë analizës së 90 vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) për periudhën janar-mars 2017 lidhur me ankesat e Operatorëve Ekonomik, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vërejtur se një nga shkaktarët kryesor në anulimin e procedurave të prokurimit ka të bëjë me procesin e vlerësimit të ofertave.
“Nga 41 vendime në favor të operatorëve ekonomik, shkeljet më të mëdha ligjore janë evidentuar në procesin e vlerësimit të ofertave (74%), 23 % kanë të bëjnë me specifikat teknike dhe përpilimin e dosjes së tenderit dhe 3% shkaktarë të tjerë. Përkundër evidentimit të gjitha këtyre shkeljeve në vlerësim të ofertave, KDI-ja nuk ka mundur të identifikoj asnjë masë ndëshkuese ndaj anëtarëve të komisioneve vlerësuese, sipas dispozitave ligjore”, thuhet në njoftimin e KDI-së.
Përveç kësaj, edhe pse ligji definon se anëtarët e komisioneve vlerësuese do të marrin përgjegjësi individuale për vlerësimet e tyre, mënyra se si administrohen masat ndëshkuese për rastet e evidentuara nuk është e rregulluar me legjislacion sekondar.
“KDI kërkon nga Komisioni rregullativ i prokurimit publik (KRPP) përmes një legjislacioni sekondar që të përcaktoj organin dhe procedurat për aplikimin e masave për shkeljet ligjore, si dhe të procedojë me kërkim llogaridhënie nga komisionet vlerësuese për rastet e shkeljeve të identifikuara. Rrjedhimisht, rekomandojmë që llogaridhënia të zbatohet sipas dispozitave ligjore ekzistuese të Ligjit Nr. 03/L-149 për shërbimin civil të Republikës së Kosovës, të cilat do të administroheshin nga Institucioni përkatës”, thuhet në komunikatën e KDI-së.