KDI: Trendi në rritje i shkeljes së të drejtave të punëtorëve edhe në sektorin publik

Prishtinë | 16 Jan 2024 | 10:55 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokratik i Kosovës, ka shpalosur detaje lidhur me praktikat siç u quajtën selektive dhe shkeljen e të drejtave të punës edhe në sektorin publik, duke u fokusuar veçanërisht në një rast në Komunën e Prishtinës që ka rezultuar në shkelje e të drejtave të punëtorëve të institucioneve arsimore në këtë komunë, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se në shtator të vitit të kaluar, KDI ka pranuar një raportim nga Edona Berisha, mësimdhënëse në SHML “Ali Sokoli” në Prishtinë, për mohim të së drejtës për pushim mjekësor.

Në një konferencë për media të mbajtur të martën, Albesa Humolli, nga KDI, ka theksuar se viteve të fundit ka një “rritje alarmante të raportimeve të shkeljeve nga marrëdhënia e punës dhe parregullsive në vendin e punës”.

“Raportimet e qytetarëve që KDI-ALAC (Qendra për Avokim dhe Ndihmë Juridike Falas që vepron në kuadër të KDI-së) pranon në baza ditore paraqesin një pamje të zymtë të sektorit publik dhe privat në Kosovë, ku mohimi i të drejtave të punëtorëve po bëhet gjithnjë e më i përhapur. Këto raportime zakonisht përmbajnë shkelje thelbësore, të tilla si mungesa e kontratës formale të punës, mospagimi i kontributeve pensionale dhe refuzimi i pushimit vjetor apo mjekësor me pagesë apo vonesat në pagë. Këto raportime të shpeshta dhe shqetësuese jo vetëm që nënvizojnë problemet e shumta me të drejtat e punëtorëve, madje edhe në nivelin e tyre më elementar por janë edhe indikator se ku po çalon lufta kundër korrupsionit në vend dhe cilat janë sektorët më të prekur nga korrupsioni”, citohet Humolli në komunikatën për media të KDI-së për këtë konferencë.

Humolli ka thënë se edhe pse shumica e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve raportohen në sektorin privat, viteve të fundit ka rritje të shkeljes së të drejtave të punëtorëve edhe në sektorin publik.

“Ndërsa shumica e shkeljeve të të drejtave të punës raportohen në sektorin privat, KDI-ALAC ka shënuar një rritje të numrit të rasteve të shkeljeve nga marrëdhënia e punës brenda sektorit publik, kështu duke e sfiduar perceptimin e përgjithshëm se punësimi në sektorin publik është më i rregulluar dhe se të drejtat e punonjësve në këtë sektor janë më të mbrojtura. Ndryshe nga sektori privat, ku shkeljet shpesh ndodhin pas punësimit, sektori publik sheh shkelje më së shumti gjatë procesit të punësimit, duke përfshirë edhe rekrutimin. Sidoqoftë, kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet kur punonjësit e institucioneve publike paraqiten në KDI-ALAC me raportime mbi shkeljet e së drejtave të tyre në vendin e punës”, citohet Humolli.

Si rast KDI-ja ka përmendur ankesën e një mësimdhënëseje në Prishtinë të cilës thuhet se i ishte mohuar e drejta e pushimit mjekësor me pretendimin se në vendimin për pushim si vërtetim i vlefshëm është vetëm ai i lëshuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, e jo edhe vërtetimi i lëshuar nga qendrat tjera të mjekësisë familjare në Komunën e Prishtinës.

Asaj thuhet se i ishte refuzuar ankesa në Drejtorinë e arsimit në Komunën e Prishtinës, duke cituar një Qarkore njoftuese (03-646-2023) të shtatorit 2023, sipas së cilës njihen si valide vetëm shenjat mjekësore dhe pushime mjekësore të lëshuara nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.

“Kjo qarkore përcakton kufizime për mësimdhënësit sa i përket marrjes së pushimit mjekësor e kështu tejkalon kërkesat ligjore të përcaktuar nga ligji i punës në fuqi, si dhe të vetë kontratave të punës të nënshkruara mes mësimdhënësve dhe komunës. Ndonëse pa mbështetje adekuate ligjore në aktet në fuqi, KDI-ALAC ka zbuluar që kjo qarkore ka krijuar polemika si dhe praktika kontroverse e jokonsistente edhe në implementim. Si rrjedhojë, KDI, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, ka marrë konfirmim zyrtar nga komuna e Prishtinës që qarkorja në fjalë interpretohet në frymën që valide konsiderohen të gjitha vërtetimet e lëshuara nga të gjitha institucionet publike shëndetësore, përfshirë edhe qendrat e zakonshme të mjekësisë familjare”, ka theksuar Humolli në konferencë.

Sipas saj ky rast, por edhe të tjerë të kësaj natyre, flasin për praktika selektive të institucioneve publike në raport me administrimin e marrëdhënies së punësimit dhe respektimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës në sektorin publik.

Të ngjashme