Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se kjo komunë çdo vit po shënon progres në transparencën e saj ndaj qytetarëve.
“Transparometri Komunal” e ka vlerësuar me 90.63 për qind për vitin 2023, i pari i komunës i është gëzuar kësaj rritje, ndërsa ka bërë të ditur se vitin e kaluar ka qenë 77.27 për qind, raporton Ekonomia Online.
“Si komunë jemi në mesin e komunave me progresin më të madh në transparencë. Puna e mirë dhe transparente do të vazhdojë”, ka thënë Idrizi.
Postimi i plotë:
Transparencën ndaj qytetarëve e kemi mision, të cilin po e përmbushim çdo ditë.
Këtë e dëshmon edhe publikimi i raportit të fundit nga KDI “Transparometri Komunal” për vitin 2023, ku transparenca e Komunës së Vushtrrisë është vlerësuar me 87 pikë apo 90.63%.
Komuna e Vushtrrisë çdo vit po shënon progres në transparencën ndaj qytetarëve, ku në vitin 2022 si komunë jemi vlerësuar me 80 pikë apo 83.33%, ndërsa në vitin 2021 Komuna e Vushtrrisë është vlerësuar vetëm me 68 pikë apo 77.27 përqind.
Si komunë jemi në mesin e komunave me progresin më të madh në transparencë.
Puna e mirë dhe transparente do të vazhdojë!