Diona Salihu, Leart Krasniqi e Kron Morina janë nxënës të klasës së dytë në shkollën “Fan Stilian Noli” në Kamenicë të cilët sot me të hyrë në klasë kanë qenë të ngazëllyer dhe të lumtur.
Kjo për shkak që klasa e tyre nuk është më në gjendje jo të mirë siç ka qenë më herët.
E gjithë kjo falë punëtorëve të KEDS-it të cilët në mënyrë vullnetare me moton “Me duart tona”, kanë rinovuar disa pjesë të kësaj shkolle.
Që të tre nxënësit thanë para kamerës së Ekonomia Online se ambienti i punës për ta tash do të jetë më i mirë.
Diona Salihu tha se kushtet në klasën e tyre kanë qenë mjaft të vështira.
“Tash klasa është shumë mirë sepse atëherë kushtet kanë qenë shumë më të vështira dhe nuk kemi mundur të kalojmë mirë”, ka thënë ajo.
E ndryshimet i ka vërejtur edhe nxënësi Leart Krasniqi.
“Jam gëzuar shumë. E kanë ly klasën, e kanë shtrua dyshemenë”, ka thënë ai.
E Kron Morina falënderoi KEDS-in për punën që kishte bërë në klasë e tij.
“Janë ly muret, ka ndryshua dyshemeja, perdet edhe dritat. Jam gëzua shumë dhe e falënderoj KEDS-in”, ka pohuar ai.
Iniciativën e punëtorëve të KEDS-it, për përmirësim të kushteve në shkollën “Fan Stilian Noli”, e kanë mirëpritur edhe arsimtarët e kësaj shkolle.
Sipas tyre përmirësimi i kushteve nëpër klasë do të ndikojë që edhe suksesi i nxënësve të jetë më i mirë.
“Kjo klasë ka qenë në kushte shumë të vështira është parë edhe më herët por duke falënderuar KEDS-in që kanë punuar për dy ditë klasa jonë tash i plotëson kushtet që të kemi sukses më të mirë. Kur erdhën në klasë u gëzuan të gjithë nxënësit edhe ne si mësues pra i gjithë stafi i shkollës ishim të gëzuar edhe e falënderojmë edhe njëherë KEDS-in për kontributin në klasën tonë dhe shkollën tonë”, ka thënë Sami Mujaj mësimdhënës i klasës së dytë.
Kurse Fatime Sylejmani arsimtare e klasës së parë ka pohuar se kushtet nëpër klasë kanë qenë të vështira duke shtuar se tash kjo ka ndryshuar.
“Së pari faleminderit prej KEDS-it, kushtet në shkollë janë përmirësuar mjaft sa i përket procesit edukativ kemi mundësi tani me punu edhe në mënyra të tjera. Kushtet kanë qenë mjaft të vështira në klasë sigurisht e keni vërejt edhe vet dallimin ku është. Tani për tani janë kushtet mjaft të mira faleminderit KEDS-it për përkrahje”, ka thënë ajo.
Të kënaqur me aksionin e punëtorëve të KEDS-it u shprehen edhe prindërit.
Adnan Sylaj, prind i njërit prej fëmijëve të klasës së parë pohoi se me të sjell djalin në shkollë kishte vërejtur ndryshimet duke thënë se kjo do tu ndihmojë shumë fëmijëve.
“Ky donacion është i mirëseardhur por shpresoj që edhe në të ardhmen me bë kësi donacione. Mendoj se është më mire për shkollën nuk është në gjendje të mirë e keni parë edhe ju vet që kanë qenë klasat jo në gjendje të mirë është përmirësua por ka mundësi me qenë edhe më mirë…Kur e pruna djalin këtu në klasë e pashë që është më mirë edhe ambienti, edhe perdet kanë ndihmuar në ngrohtësinë e klasës dhe klasa ka me qenë më e freskët”, ka thënë ai.
Punëtorët e KEDS-it në rinovimin e kësaj shkolle kanë punuar dy ditë.