Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesëpadinë e ish-punëtorit të KEDS-it, Ruzhdi Sadiku, i cili përmes padisë së ushtruar më 31 tetor 2016, kishte kërkuar nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), anulimin e vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, si dhe kompensimin e të ardhurave personale.
Ai kishte kërkuar shumën mbi 14 mijë euro me pretendimin se pa të drejtë, KEDS-i e kishe larguar nga puna, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me aktgjykimin e 5 korrikut 2019, gjykata e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit Ruzhdi Sadiku, në të cilin thuhet se anulohet vendimi i të paditurës KEDS, i datës 27 shtator 2016, duke e obliguar atë që paditësin ta kthejë në vendin e punës me të gjitha të drejtat dhe detyrat e punës.
Gjithashtu, gjykata e ka detyruar KEDS-in, që paditësit t’ia paguajë shumën prej 11,469.86 euro neto, për periudhën 1 dhjetor 2016, deri më 31 mars 2019, kurse në emër të trustit pensional shumën prej 634.94, si dhe tatimit në pagë shumën prej 595.64 euro, të gjitha këto me kamatë ligjore prej 8%, e cila do të llogaritet nga 26 marsi 2019, deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet gjyqësore në shumën prej 888 euro.
Në aktgjykim thuhet se si pasojë e shkeljeve të gjetura në ristrukturimin e KEDS-it, rrjedh se vendimi i kësaj kompanie për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, duke u bazuar në vendimin e Bordit, të datës 22 mars 2016, ishte i kundërligjshëm dhe se e paditura nuk kishte arritur të arsyetonte zbatimin e dispozitës në nenin 70, paragrafi 1, pika 1.1 të Ligjit të Punës, si dhe e njëjta kishte dështuar të arsyetonte se ishte përpjekur që paditësin ta risistemonte në një vend tjetër të punës.
Ndërsa, shumën për kompensimin e të ardhurave personale, sipas këtij aktgjykimi, gjykata e kishte bazuar në ekspertizën plotësuese të ekspertit Fahri Bajrami, të datës 10 maj 2019.
Ndryshe, në seancën e shqyrtimit kryesor që ishte mbajtur më 17 qershor 2019, ishte dhënë fjala përfundimtare nga palët ndërgjygjgjese.
Në fjalën e tij përfundimtare, përfaqësuesi i paditësit, avokati Leutrim Ademi kishte deklaruar që konsideron se vendimet e të paditurës kanë qenë joligjore, të pabazuara, të paargumentuara, andaj ai i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë në tërësi kërkesëpadinë si të bazuar.
Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës KEDS-it, Serreqi, fjalën e tij përfundimtare e kishte dorëzuar me shkrim.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 31 tetor 2016, paditësi Ruzhdi Sadiku, ka kërkuar nga e paditura, Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike Sh.A (KEDS), anulimin e vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Sipas padisë, paditësi kishte qenë në marrëdhënie pune, fillimisht në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në pozitën udhëheqës i ekipit të daljes, në bazë të kontratës së lidhur më 15 maj 2002, pastaj në vitin 2013, ishte bërë privatizimi i shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike te tani e paditura KEDS, siç thuhet në padi, në vendin e punës në një Departament të Imagjinuar Përgjegjës, për projekte dhe operim, sipas kontratës së punës së lidhur më 1 qershor 2015.
Në padi thuhet se KEDS-i, fillimisht e njofton punëmarrësin se gjoja departamenti ku ai punon do të mbyllet dhe njëkohësisht ia dërgon edhe njoftimin për ndërprerjen e kontratës së punës, ku sipas padisë, të paarsyetuar dhe të paargumentuar se me të vërtetë ky departament do të shuhet.
Sipas padisë, KEDS-i duke mos i marr parasysh pretendimet e tani paditësit, refuzon ankesën e paditësit.
Andaj, përmes padisë, ai ka kërkuar nga gjykata që KEDS-i ta kthejë në vendin e punës dhe të obligohet e paditura që t’ia kompensojë atij pagat që nga periudha kur i është ndërprerë marrëdhënia e punës, si dhe obligimet e kësaj procedura gjyqësore.