Kelmendi: Qeveria po përgatit Pakon Fiskale 2

Prishtinë | 25 Nën 2016 | 11:58 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në një tryezë me përfaqësuesit e bizneseve të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane (OEAK) titulluar “Eksportet e Kosovës: Mundësitë dhe Pengesat”, zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, tha se Qeveria është dukë përgatitur Pakon Fiskale – 2, në të cilën do të ketë lehtësira edhe më shumë për prodhuesit.

Ai ka thënë se me kryeministrin Isa Mustafa, Ministrinë e Tregtisë, atë të Financave e institucione tjera po punojnë që Pakoja e re Fiskale të ndryshojë.

“Për të pasur një eksport të mirëfilltë nevojitet të punohet më shumë në kualitetin e prodhimit. Kërkoj nga ju që ti adresoni kërkesat e juaja në mënyrë që të përfshihen në Pakon Fiskale 2”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

“Kur të fillojmë me ndryshime do të punoj sikurse ju të jeni aty. andaj duhet të punoni sa më shumë të forconi, prodhimtarinë, të rrisni cilësinë në mënyrë që të jeni më konkurrent në treg”, ka thënë ai.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria dhe institucionet e tjera të vendit që me dinamizëm të shtuar të përfundojnë pakon e masave të cilat do të ndikonin në fuqizimin e sektorit të prodhimtarisë në vend, i cili mbetet sektori me potencialin më të madh për krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Ofrimi i lehtësirave për sektorin e prodhimtarisë do të mundësonte zëvendësimin gradual të importeve, rritjen e bazës së eksporteve, dhe rrjedhimisht përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës.

Në këtë aspekt, anëtarët e Komitetit të Prodhuesve të Odës Ekonomike Amerikane kërkojnë zgjerimin e mëtejmë të listës së mallrave të liruara nga detyrimet doganore, shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike, fuqizimin e diplomacisë ekonomike dhe vënien e saj në shërbim të produkteve nga Kosova, përkrahje institucionale për promovimin e produkteve nga Kosova në panairet ndërkombëtare, shfrytëzimin më efikas të mekanizmave në kuadër të marrëveshjeve për tregti të lirë për eliminimin e barrierave që u vihen eksportuesve nga Kosova nga shtetet e tjera, rregullimin e çështjeve që lidhen me tatimin mbi vlerën e shtuar për lëndët e para të importuara dhe ato të blera në tregun e brendshëm, si dhe përkrahje të mëtejme për makineritë e importuara.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka theksuar se viteve të fundit nga ana e institucioneve ka pasur një përkushtim pak më të madh për të forcuar prodhimtarinë, për të rritur eksportin e përmirësuar bilancin tregtar.

Mërgim Prishtina nga kompania farmaceutike “Tre Farm” ka thënë se në Kosovë thuajse bizneset kërkojnë shumë por kur të arrihet diçka nuk janë të përgatitura për të vazhduar me ndryshime.

Ai theksoi se për të eksportuar duhen tre faktorë që ende prodhuesit nuk i kanë arritur: kualiteti, çmimi dhe shpejtësia apo logjistika.

Ruzhdi Haxhijaha, nga “Bodrumi i Vjetër” në Rahoveci foli për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe ndikimit të saj tek prodhuesit.

Ai tha se duhet të promovohen produktet e Kosovës nëpër panaire të mëdha ndërkombëtare, por që është një kosto e lartë për prodhuesit.

“Qeveria duhej të ndante një pjesë të buxhetit për subvencion që produktet vendore të jenë më konkurrente në tregjet e jashtme”, tha Haxhijaha.

Të ngjashme