Ne shqiptarët e kemi bërë Gjykatën Speciale sepse lufta për çlirimin e Kosovës ishte e drejtë dhe e drejta nuk i frikësohet asnjë drejtësie të drejtë.
Fatkeqësisht, tashmë po shihet qartë që Specialja është duke u përdorur politikisht nga fuqi armiqësore dhe bile edhe asi që e quajnë veten mike të shqiptarëve në Europë. Amerika, e zënë me zhvillime epokale në Ukrainë dhe Azi, nuk e ka as Kosovën dhe as Specialen në vëmendjen e duhur dhe kjo ka bërë që një shtet europian të merr procesin me Specialen në dorë. Ky keqpërdorim politik i drejtësisë do të ndalet me ardhjen e administratës së re amerikane pas zgjedhjeve në nëntor 2024. Mirëpo, nëse shqiptarët vazhdojmë të rrimë si guakë deri atëherë, mund të jetë vonë të ndalohet krejt dëmi që është duke u programuar nga faktorë që janë të interesuar të barazojnë fajësinë e shqiptarëve me serbët për luftën e Kosovës, pa çka që shqiptarët luftuan për liri e serbët për pushtim. Revizionizmi historik ndodh vazhdimisht përgjatë historisë dhe u ndodhë popujve të dobët dhe naivë, poashtu përgjatë tërë historisë.
Disa shqiptarë, përfshirë pushtetin në Prishtinë, për dallim nga ai në Tiranë, ose nuk e kanë kapur magnitudën e rëndësisë së rezultatit të Speciales ose hajvanisht duan që liderët e UÇK-së dhe themeluesit e shtetit të Kosovës të dënohen pa bazë nga Specialja, sepse kjo u volit që eventualisht të vazhdojnë rehatinë e patrazuar pushtetore. Por verdikti juridik i Speciales ka të bëjë më së pakut me individët që janë atje e gjithçka me kombin shqiptar dhe interesin vital shqiptar.
I thërras pushtetet ekzekutive, judikative dhe legjislative, si dhe Presidenten e Kosovës, të reagojnë ndaj shkeljeve dhe keqpërdorimeve që po bëjnë Prokuroria dhe disa gjykatës në Speciale. Nëse jo për interesin nacional, për çka paguhen majmërisht, për faktin se pas Zgjedhjeve Amerikane në nëntor shteti amerikan do të veprojë për të mbrojtur interesin nacional tonin, mirëpo dëmet anësore do të jenë ngurtësuar sepse shteti i Kosovës nuk bëri punën që e bën çdo shtet për vete.
Nuk po përmend shtresat intelektuale dhe akademike fare. Sepse ato kanë treguar që as nuk dinë dhe as nuk kanë guxim dhe duhen gjenerata të reja.