Kërcënoi se do ta djegë zyrën e Thaçit dhe Kushtetuesen, merret vendimi për të dyshuarin

Prishtinë | 13 Tet 2020 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj G. M, për veprën penale të shtytjes në kryerjen e veprave terroriste.

Kjo për shkak të një postimi të M. në rrjetin social “Facebook”, që kishte bërë thirrje për djegien e zyrës së Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese Arta Hajrizi-Rama.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, ai është dënuar me 1 vit burgim me kusht, nëse në periudhën verifikuese prej 2 vitesh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Gjithashtu, të akuzuarit G.M, i është shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, ndërsa sipas aktgjykimit thuhet se nëse M. nuk e respekton këtë masë, e njëjta do ti zëvendësohet me masë të trajtimit psikiatrik në ndalim.

Ndërkaq, në seancën e kaluar, prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu ka konstatuar ndryshimin e aktakuzës lidhur me kompetencën për shkak se kjo lëndë kishte kaluar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Më 28 korrik 2020, me vendim të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale është pranuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë që kjo lëndë të pranohet në kompetencë të kësaj prokurorie. Prokuroria Speciale, më 8 tetor 2020 në kuptim të nenit 252, paragrafi 1, i KPPRK-së paraqet aktakuzë të ndryshuar, ashtu që aktakuza ndryshohet kundër të akuzuarit G. M, ndërsa dispozitivi mbetet i njëjtë”, ka thënë prokurorja Fejzullahu.

Gjithashtu, ajo ka tërhequr nga aktakuza, propozimin që të akuzuarit t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyruar psikiatrik në liri.

Ndryshe, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 28 maj 2020, me të cilin ishte vlerësuar se dekreti i Presidentit Hashim Thaçi, që e kishte mandatuar për kryeministër Avdullah Hotin, është në harmoni me Kushtetutën, kishte shkaktuar reagime të shumta pro dhe kundër.

Pas këtij vendimi, G.M., më 29 maj 2020, rreth orës 11:00, në Mitrovicë, kishte publikuar një status në rrjetin social “Facebook”, përmes të cilët kërkonte që të digjej zyra e Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajzeri.

“Më në fund erdhi dita populli me e kall zyrën e presidentit Thaçi dhe Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama. Nëse populli së bënë këtë gjë, atëherë jemi njerëzimi më analfabet, më frikacak, më tradhtar e më i korruptuar në Ballkan”, kishte shkruar G.M.

Ky publikim i të akuzuarit ka ndikuar që ndaj tij, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 22 qershor 2020, të ngrisë aktakuzë, me të cilën e ka ngarkuar atë për vepër penale terrorriste.

Lidhur me pretendimet e prokurorisë, i akuzuari deklaroi se e pranon gabimin që ka bërë me postimin në “Facebook”, por nuk ndihet fajtor për akuzën e prokurorisë.

“Nuk e konsideroj vetën fajtorë për një koment privat që e kam bo, por gabimin e pranoj. Kur ka ardhë prokuroria në shpi nuk kanë gjetë kurgjo as armë e as sen”, tha i akuzuari.

Mirëpo, përgatitja e kësaj lënde nga ana e Prokurorit të Shtetit është përcjellë me gabime në kualifikimin juridik e mos përfshirje të të gjitha provave, para ngritjes së aktakuzës.

Prokuroria në aktakuzë, të akuzuarin e ka ngarkuar me veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, që përcaktohet me nenin 134 të Kodit të vjetër Penal, por në fakt kjo vepër penale është e paraparë me nenin 143 të këtij Kodi.

Ndërsa, në seancën fillestare të mbajtur më 23 korrik 2020, prokurorja Jelena Marjanoviq bëri precizimin e aktakuzës, duke e ngarkuar të akuzuarin me veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, duke e kualifikuar me nenin 141 të Kodit të vjetër Penal.

Mirëpo, një veprim i tillë bie në kundërshtim me nenin 3 të Kodit Penal të Kosovës, sipas të cilit përcaktohet që “ndaj kryesit zbatohet ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”.

Në këtë mënyrë, prokuroria është dashur që në rikualifikimin e veprës penale, i akuzuari të ngarkohet me veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, që përcaktohet me nenin 134 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që ka hyrë në fuqi më 14 prill 2019, pasi vepra për të cilën pretendohet se e ka kryer i akuzuari është e datës 29 maj 2020.

Përpos kësaj, edhe pse mbrojtja ka theksuar në vazhdimësi se i akuzuari ka probleme shëndetësore me aktakuzën e Prokurorisë nuk ishte propozuar si provë ndonjë ekspertizë mjekësore për ta vlerësuar gjendjen shëndetësore të të akuzuarit, mirëpo një gjë të tillë prokuroria e kishte bërë vetëm pas ngritjes së aktakuzës.

Sipas raportit të ekspertizës së ekspertëve neuropsikiatrik, të propozuar nga prokuroria, në të cilën janë përfshirë dy psikiatër dhe një psikolog klinik, e të cilin e komunikoi kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri, është konstatuar se i akuzuari në momentin e kryerjes së veprës penale, ka qenë me përgjegjësi të zvogëluar mendore.

Po ashtu, me këtë raport është rekomanduar që ndaj të njëjtit të shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm neuropsikiatrik në liri.

Për këtë shkak, gjykatësja Gërguri kërkoi nga ana e prokurores Marjanoviq, që deri më 28 korrik 2020, të bëj precizimin e aktakuzës dhe ta trajtoi edhe çështjen e ekspertizës së ekspertëve mjekësor.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Muhamet Halimi, përpos që paralajmëroi se do të ushtroj kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, i kërkoi gjykatës që për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, të merr vendim me të cilin të akuzuarin do ta lironte nga paraburgimi.

Një propozim të tillë nuk e kundërshtoi prokurorja Marjanoviq, e cila e la në kompetencë të gjykatës këtë çështje, mirëpo për këtë çështje gjykatësja Gërguri tha se do të vendos jashtë seance, pasi t’i vlerëson dokumentet mjekësore të të akuzuarit.

Ndryshe, ky rast fillimisht kishte shkuar në trajtim në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, mirëpo gjyqtari Bekim Veliqi, të cilit i ishte ndarë kjo lëndë, me vendimin e 7 korrikut 2020, e kishte shpallur këtë gjykatë jo kompetente, me arsyetimin se sipas nenit 18 të Ligjit për Gjykata, kompetent për t’i gjykuar lëndët që bien në kompetencë të PSRK-së, është Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 22 qershor 2020 kishte ngritur aktakuzë ndaj G.M., duke pretenduar se i akuzuari më 29 maj 2020, rreth orës 11:00, në Mitrovicë, me qëllim të organizimit për kryerjen e veprës terroriste, përmes rrjetit social “Facebook”, ka publikuar komentin e tij “Më në fund erdhi dita populli me e kall zyrën e presidentit Thaçi dhe Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama. Nëse populli së bënë këtë gjë, atëherë jemi njerëzimi më analfabet, më frikacak, më tradhtar e më i korruptuar në Ballkan”, dhe ky koment është shpërndarë nëpër mediat elektronike në faqen e internetit “Indeksonline”.  /BetimipërDrejtësi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme