Kërkesa e Benjamin Netanjahut për falje me qëllim “promovimin e pajtimit” në Izrael ka shkaktuar debat të madh, ndërsa gjyqi i gjatë për korrupsion i kryeministrit vazhdon të përçajë shoqërinë izraelite.
Lajmi bëri bujë papritur në Izrael (30.11.2025): Kryeministri Benjamin Netanyahu i ka kërkuar Presidentit Isaac Herzog ta amnistojë paraprakisht, duke i dhënë fund gjyqit të tij për korrupsion. Do të ishte një veprim shumë i diskutueshëm, pothuajse i paprecedent, pasi faljet presidenciale zakonisht jepen vetëm pas një vendimi.
Yedioth Ahronoth, një nga gazetat kryesore të përditshme të Izraelit, publikoi një artikull të hënën me titullin “Dilema e Faljes”, ndërsa gazeta e përditshme e krahut të djathtë Israel Hayom pranoi se “kërkesa është e pazakontë dhe bart pasoja serioze”.
Në një video-deklaratë televizive, Netanjahu tha se ishte në interesin e tij personal të provonte pafajësinë e tij në gjykatë, por sipas tij është edhe në interesin kombëtar të shkurtonte gjyqin. Ai pretendon se procesi “po na përçan”.
“Realitetet e sigurisë, realitetet politike dhe interesi kombëtar, kërkojnë ndryshe”, tha Netanjahu. “Procesi po na përçan, po nxit mosmarrëveshje të hidhura dhe përçarje”. Netanjahu argumentoi se “përfundimi i menjëhershëm i gjyqit do të ndihmonte në uljen e tensioneve dhe në promovimin e pajtimit për të cilin vendi ynë ka kaq shumë nevojë”.
Trump mbështet kërkesën për falje
Komentatorët izraelitë vunë re se kërkesa erdhi menjëherë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump i shkroi Presidentit Herzog më 12 nëntor, duke kërkuar një falje të plotë për Netanjahun. Trump, një mbështetës i hershëm i Netanyahut, gjithashtu bëri thirrje për një falje në tetor gjatë një fjalimi në Knesset, Parlamentin e Izraelit.
Netanjahu është i vetmi Kryeministër izraelit në detyrë që përballet me gjyq, duke u përballur me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në tre raste të ndara. Ai akuzohet për pranimin e dhuratave në këmbim të favoreve politike, si dhe për kërkimin e mbulimit dhe favoreve nga mediat, nga një kompani telekomunikacioni dhe botuesi izraelit Yedioth Ahronoth.
Netanyahu i ka mohuar të gjitha akuzat, duke e quajtur vazhdimisht gjyqin pesëvjeçar një “gjueti shtrigash” nga media, policia dhe nga gjyqësori kundër tij dhe familjes së tij.
Kritikët e tij e kanë akuzuar prej kohësh atë për zgjatjen e luftës në Gaza si dhe konflikteve të tjera, me qëllim që të mbtetet koalicioni i tij qeverisës në pushtet dhe të shmangë problemet ligjore.
Gjykimi kundër tij është zvarritur për shkak të vonesave që lidhen me pandeminë COVID-19 dhe mocione të shumta nga avokatët e tij për të shtyrë seancën dëgjimore për arsye diplomatike dhe sigurie që lidhen me konfliktet në Gaza, Liban dhe Iran.
Kryeministri përballet me zgjedhje të tjera në vjeshtën e vitit 2026, por analistët politikë spekulojnë se zgjedhjet mund të jenë më herët, varësisht se si do të zhvillohet situata.
“Netanjahu nuk po kërkon falje”, shkroi Ben Kaspit, një kolumnist për të përditshmen Maariv. “Ai dëshiron një rrugë të tërthortë. Një përjashtim nga barazia para ligjit.”
Nadav Eyal, një komentator për Yedioth Ahronoth, tha se kërkesa për falje ishte një fitore për Netanyahun pavarësisht rezultatit. Nëse Herzog, një ish-rival politik, e refuzon kërkesën e tij, Netanyahu, do të “shfrytëzonte rolin e tij si viktimë deri në zgjedhjet e ardhshme”.
E nëse Presidenti i jep atij një falje pa kërkuar që ai të tërhiqet nga politika, shtoi Eyal, “edhe më mirë”. “Problemi do të marrë fund. Do të provojë se Netanyahu është persekutuar për vite me radhë dhe se tani Herzog e ka pranuar këtë fakt.”
Faljet para gjykimit janë jashtëzakonisht të rralla
Faljet para dënimit janë të rralla dhe shumë të pazakonta në Izrael, veçanërisht nëse nuk lidhen me një pranim fajësie ose dorëheqje. Nuk ka precedent për faljet në mes të një gjyqi.
Presidenti Herzog ka fuqinë ligjore të japë falje. Por ekspertët ligjorë paralajmërojnë se falja mund të shkaktojë një krizë politike dhe kushtetuese që në fund të fundit mund të përfundojë para Gjykatës Supreme të Izraelit.
Në një punim analitik nga grupi i pavarur think tank The Israel Democracy Institute, botuar më 19 nëntor, para kërkesës së Netanyahut, studiuesja Dana Blander shkroi se një falje nga Herzog mund ta vendosë presidentin si një autoritet mbi sistemin gjyqësor.
Një përjashtim i rrallë është një rast 40-vjeçar që përfshin zyrtarë të lartë nga Shin Bet, shërbimi i sigurisë së brendshme të Izraelit. Ata u akuzuan për mbulimin e ekzekutimit të dy militantëve palestinezë të përfshirë në një rrëmbim autobusi ndërsa ata ndodheshin në paraburgim në atë kohë dhe kishte miratuar faljet paraprakisht, të cilat u mbështetën nga Gjykata e Lartë.
Opozita kërkon dorëheqjen e Netanyahut në këmbim të faljes
Partnerët e koalicionit të Netanjahut mbështetën kërkesën e tij për falje, por opozita e hodhi poshtë shpejt pretendimin e kryeministrit se kjo do ta bashkonte vendin.
Lideri i opozitës, Yair Lapid, i kërkoi Herzogut të mos e falte Netanyahun nëse ai nuk jep dorëheqjen menjëherë si kryeministër. “Nuk mund t’i jepni falje pa pranuar fajin, pa shprehur keqardhje dhe pa u tërhequr menjëherë nga jeta politike”, tha Lapid në një deklaratë video të dielën.
Ish-kryeministri Naftali Bennett e përsëriti këtë në rrjetin X, duke shkruar se do të mbështeste një falje nëse ajo “përfshinte një tërheqje dinjitoze nga jeta politike së bashku me përfundimin e gjyqit”.
Mediat izraelite kanë spekuluar, se Herzog mund të bënte një falje me kusht. Kjo mund të përfshinte një pranim të mundshëm të “keqbërjes” ose kufizime mbi të ardhmen politike të Netanjahut, diçka që Netanyahu e ka mohuar deri tani me vendosmëri.
Kur pritet vendimi
Çdo falje e mundshme do të kërkojë kohë. Kërkesa së pari i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas një avokati në Zyrën e Presidentit për mendime shtesë përpara se Presidenti të marrë një vendim.
Në një deklaratë të hënën, Herzog tha se kërkesa e Netanjahut për falje “qartësisht provokon debat dhe shqetëson thellësisht shumë njerëz në vend, në komunitete të ndryshme”.
Në marrjen e vendimit të tij, Herzog tha se do të “merrte në konsideratë vetëm interesat më të mira të shtetit dhe shoqërisë izraelite”. /DW