Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar sot e-mail, kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Bajram Zejnullahu, anëtarëve të këtij bordi dhe Drejtorit Menaxhues, Valon Tolajt, ku iu ka kërkuar që deri në komunikimin e radhës të mos marrin vendime që kanë të bëjnë me privatizimin, tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore.
“Jam njoftuar që sot po mbahet mbledhja e 147-të e Bordit. Pas shqyrtimit të agjendës që keni për mbledhjen e sotme, më poshtë ju lutem gjeni kërkesën time urgjente”, thuhet në letrën e Kurtit.
Kryeministri kërkon nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) që të pezulloi deri në komunikimin e ardhshëm çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore, siç janë edhe qiradhëniet apo shitjet pa tender publik.
“Po ashtu, kerkoj që të pezulloni çdo vendimmarrje te ndërmarrjet shoqërore që janë të privatizuara me kushte e që janë akoma nën administrimin e AKP-së”, ka shkruar Kurti.
Sipas kryeministrit, Qeveria e re ka filluar punën këtë javë dhe programi qeverisës do të hartohet së shpejti.
“Në këtë program adresojmë edhe veprimtarinë, kompetencat dhe funksionin e AKP-së. Ju lutem të keni në konsideratë këtë kërkesë deri në vendimin e ardhshëm te Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në e-mailin e Kurtit.