Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, kundër të pandehurit E.C., nga Komuna e Rahovecit, me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “ dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Sipas njoftimit për media, me 05.06.2019, afër një shkolle të mesme në Komunën e Rahovecit, i pandehuri E.C., e detyron të dëmtuarën të mitur L.D., që të kryejë aktin seksual pa pëlqimin e saj.
“Përderisa e dëmtuara ishte duke shkuar për të blerë një shishe ujë afër shkollës, i pandehuri e kishte ftuar kinse për t’i treguar diçka, pas refuzimit nga ana e të dëmtuarës me arsyetimin se kishte mësim dhe nuk kishte kohë, i njëjti duke përdorur forcën e kap për krahu, e dërgon në shtëpinë e pa banuar afër shkollës, e zhvesh me forcë dhe e kryen aktin seksual, duke u larguar më pas, dhe duke e lëne të dëmtuarën në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin për media thuhet se Prokurori i rastit ndaj të pandehurit E.C., ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh./Telegrafi/