Avokatët kërkuan hedhjen poshtë të aktakuzës në gjykimin e ish-deputetit dhe drejtorit të një OJQ-je.
Në gjykimin ku ish-deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të gati 26 mijë eurove, avokatët mbrojtës kanë kërkuar hedhjen e aktakuzës.
Avokatja Merita Stublla- Emini duke kërkuar pushimin e hetimeve ndaj Etem Arifit, tha se ai si deputet ka mbrojtur interesat e ashkalinjve në Kuvend.
“Në kohën kur prokuroria po pretendon se ka kryer veprën penale ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe konform kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit ka qenë zëri i votuesve të tij në Kuvend për të mbështetur iniciativat e tyre”, tha avokatja Stublla- Emini.
Bajram Troshupa, avokati i Bajram Gashit, tha se i mbrojturi i tij ka vepruar sipas udhëzimeve të Etem Arifit.
“Ka qenë i angazhuar në aktivitetet politike në Partinë e Ashkalinjve të udhëhequr nga kryetari Etem Arifi dhe i ndikuar nga nevoja dhe patriotizmi për t’i ndihmuar popullit të vet si rezultat i mungesës së njohurive të tij shkollore, mungesës së njohurive profesionale, papjekurisë politike, ka ndikuar që gjithherë për gjithçka dhe në çdo moment të veprojë sipas udhëzimeve të kryetarit Etem Arifi”, tha Troshupa.
Më tej, avokati Troshupa tha se Gashi ka qenë një mjet teknik për realizimin e projekteve të cilat Arifi i ka cilësuar si të nevojshme për komunitetin e tij.
“Edhe nëse nuk hedhet poshtë aktakuza, gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se alfa dhe omega e tërë këtij procesi ka qenë kryetari i partisë Etem Arifi, e që bazuar në vendimet dhe udhëzimet e tij ka vepruar i akuzuari Bajram Gashi”, theksoi Troshupa.
Pas seancës, Merita Stublla- Emini, avokatja e Etem Arifit tha për KALLXO.com se Arifi nuk është themelues i “Zërit të Ashkalinjve” dhe nuk ka përfituar nga fondet e kësaj organizate.
Dy të akuzuarit mbështetën fjalët e avokatëve të tyre mbrojtës, derisa prokurorja e rastit, Florije Shamolli-Salihu, kërkoi që kundërshtimet e avokatëve të refuzohen si të pabazuara.
Lidhur me kërkesat e avokatëve mbrojtës, vendimi do të merret jashtë seancës dhe palët do të njoftohen me shkrim.
Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.
Më tej, në aktakuzë thuhet se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.
Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar- deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor 2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive, dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkalinj të holla në vlerën prej 25.646,00 eurove.
Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i kanë përvetësuar për vete.
Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje.