Tre kontejnerë mbeturinash të ekspozuar e dy të tjerë në futur në tokë afër Hamamit të Vjetër në Mitrovicë janë bërë shkak që institucionet e trashëgimisë të reagojnë duke kërkuar largimin e tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Cenimi i pamjes së njërit prej monumenteve më reprezentative të qytetit të Mitrovicës dhe kundërmimi që vjen prej tyre ka bërë që pos pronarëve të reagojnë edhe institucionet relevante.
Ka kaluar një muaj qysh kur Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në këtë qytet i është drejtuar me një kërkesë Komunës së Mitrovicës për largimin e kontejnerëve dhe ende nuk ka marrë përgjigje. Vetëm trotuari i ndan kontejnerët nga monumenti i ndërtuar në shekullin XVIII.
Komuna e Mitrovicës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në terren dhe nuk i është përgjigjur kërkesës së Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Fillimisht më 19 qershor të këtij viti pronari i Hamamit të Vjetër i ishte drejtuar me një kërkesë Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore. Me arsyetimin se kontejnerët gjenden afër objektit të trashëgimisë kulturore kishte kërkuar largimin e tyre.