Kërkohet lirimi i aktivistëve të VV-së, të dënuar për sulmin në Kuvend

Prishtinë | 21 Shk 2018 | 13:03 | Nga

Lëvizja Studentore për Barazi, Studim, Kritikë dhe Veprim, përmes një aktiviteti para Bibliotekës Kombëtare, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të lirojë katër aktivistët e Vetëvendosjes të dënuar me mbi 21 vite burg, për sulmin në Kuvend.

Nesër pritet që Gjykata e Apelit të mbajt seancën për të vendosur për Egzon Haliti, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Frashër Krasniqi pas ankesës së mbrojtjes, raporton Ekonomia Online.

Egzon Bajraktari, ligjërues në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, tha se këta studentë duhet të jenë në mesin tonë, në ligjërata me kolegët e tyre e jo në burg.

“Gjykimi ndaj katër aktivistëve nuk është vetëm gjykim ndaj tyre por është i të gjithë neve si shoqëri. Nuk është veç  çështje e tyre si individë, as veç e një subjekti politik, këtë rast Vetëvendosje-s , por e çdo qytetari në Republikën e Kosovës”.

“Ka vend edhe për revoltë e protestë. Kështu që edhe në rastin hipotetik kur studentët tanë mund të shprehin revoltën e tyre shteti dhe gjyqësori ynë, do duhej të tregonte aftësi që ta pranojë e ta paketojë atë revoltë, e të mos e shkelmojë rininë me dënime të pajustifikuara e drakonike” shtoi ai më tutje.

Arlinda Gashi, aktiviste, tha pret që Gjykata e Apelit të marrë vendim e pandikuar politikisht dhe se ata po mbahen ne burg pa prova.

“Ne kërkojmë që gjykata të merr vendimin e saj pa ndikime politike dhe në mënyrë objektive. Në kërkojmë që aktivistët e pafajshëm, që po mbahen në burg pa prova, të lirohen sa më parë”.

Me 9 shkurt 2018 në Kuvend u miratuan tri pikat e mocionit të propozuar nga VV: hetim i pavarur ndërkombëtar i çështjes ndaras nga hetimi për rastin e vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit; hetim i përgjegjësive në hierarkinë e lartë të Policisë së Kosovës, të përfshirë në inskenimin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit më 4 gusht 2016; dhe në fund hetim dhe marrje në përgjegjësi ligjore të të gjithë personave përgjegjës në hierarkinë shtetërore, për përndjekjen e aktivistëve dhe për vdekjen e Astrit Deharit.

Astrit Dehari, Egzon Haliti, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Frashër Krasniqi u arrestuan me 29 gusht 2016.

Me 5 nëntor të vitit 2016, në burgun e Prizrenit vdiq aktivisti Astrit Dehari. Ndërkaq gjykata me 17 nëntor 2017, dënon aktivistët tjerë me gjithsej 21 vjet burg.

Të ngjashme