Kërkohet që Rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë ta tregojë gjendjen reale të sundimit të ligjit

Prishtinë | 16 Tet 2018 | 12:24 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në konferencën “Rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë: Tranzicioni 2020”, organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, u diskutua rreth çështjeve kryesore që kanë të bëjnë me procesin e Rishikimit Funksional të Sistemit të Drejtësisë në Kosovë, i cili ka filluar në fund të nëntorit 2016.

Shqyrtimi do të përfshinte të gjitha institucionet e lidhura me këtë temë duke kërkuar të imponojnë një strategji gjithëpërfshirëse për zhvillimin e sundimit efektiv të ligjit të vend.

Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë, tha se që kur ka marrë mandatin e ministrit, ka vazhduar punën për këtë proces me metodologjinë e propozuar që nga viti 2016, raporton Ekonomia Online.

“Sa i përket rishikimit funksional të sundimit të ligjit, ne kemi punu me metodologji dhe mënyrën se si do procedojmë më tutje. Nuk ka pasë ndonjë zhvillim nga viti 2016, prandaj nuk kemi bërë ndonjë ndryshim në metodologji, po kemi fillu nga e para”.

Tahiri tregoi se rishikimi funksional është ndarë në shtatë shtylla dhe tashmë është në përfundim faza e parë, nga e cila pritet të nxirren analiza për secilën shtyllë.

“Ne e kemi nda në 7 shtylla rishikimin funksional dhe jemi duke e përfundu fazën e parë. Faza e parë përfundon në fund të këtij muaji, ku nxirren analizat për secilën shtyllë. Ne do ta rishikojmë punën e këtyre shtyllave nga nëntori e tutje. Deri në mars do të punohet në 4 shtylla. Nga marsi i vitit të ardhshëm është përmendur të shkojmë në një shtyllë të vetme, një reformë ndërsektoriale”.

Ministri Tahiri tha se partnerët ndërkombëtarë që kanë dhënë ndihmë konkrete për këtë proces janë Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Si fillim edhe partnerë ndërkombëtarë kanë qenë skeptikë, por kemi qenë të vendosur që ta avancojmë agjendën. Pikërisht si rezultat i angazhimit, ka bërë që në pjesën e dytë të rishikimit funksional të kemi projekte konkrete dhe ndihmë konkrete nga Bashkimi Evropian, nga ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këta partnerë janë të angazhuar në kuadër të rishikimit funksional”.

Tahiri tha se për vitin 2019 do të kenë kujdes që në Kuvendin e Kosovës të dërgohen vetëm projektligjet që janë të domosdoshme.

“Ne për vitin 2019 do të dërgojmë ato projektligje që janë të domosdoshme për Kuvendin e Kosovës, që t’i lëmë hapësirë përfundimit dhe të kemi një angazhim më të madh në rishikimin funksional. Nga muaji korrik 2019 fillojmë implementimin e asaj strategjie. Pra do të dërgojmë vetëm projektligje të rëndësishme në 2019”.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, theksoi se sektori i sundimit të ligjit është shtyllë e sundimit demokratik, raporton EO.

“Sektori i sundimit të ligjit është shtyllë e sundimit demokratik. Rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit ka dalë si nevojë e kohës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nevoja për të rishikuar këtë sektor ka dalë pas një periudhe të arsyeshme ku Kosova ka arritur një nivel të kënaqshëm të konstituimit institucional”.

Idrizi tha se ndryshimet e shpeshta të projektligjeve ndikojnë në grumbullimin e lëndëve.

“Ndryshimet e shpeshta ndikojnë në zvarritjen e procedurës, në grumbullimin e lëndëve. Është momenti i fundit që ligjet aktuale të formulohen, të përshtaten që mos të kemi nevojë për një periudhë të gjatë disavjeçare që ato t’i ndryshojmë”.

“Rishikimi funksional duhet të jetë në gjendje të na ofrojë një diagnozë reale të gjendjes në sektorin e sundimit të ligjit. Ne si Këshill Gjyqësor jemi pjesë e këtij procesi”.

Sipas Albulena Haxhiut, e cila ishte e ftuar në panelin diskutues në cilësinë e kryetares së Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Kosova ka probleme të mëdha në sistemin e drejtësisë, raporton EO.

“Nëse flasim për sistemin e drejtësisë është e qartë dhe evidente, jo vetëm nga ne që flasim e që e shohim çka po ndodh, po edhe në raportet vendore e ndërkombëtare, se kemi probleme të mëdha me sistemin e drejtësisë. Raporti i fundit për vendin e evidenton që Kosova ka probleme të mëdha me sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë është i kapur në Kosovë dhe përballë kësaj situate më duket term i butë rishikimi funksional”.

Haxhiu tha se Kosova ka nevojë për transformim rrënjësor të sistemit të drejtësisë. Ajo shprehu pakënaqësinë e saj për përjashtimin e Komisionit për Legjislacion nga diskutimi për rishikimin funksional të sistemit të drejtësisë.

“Kosova ka nevojë për një transformim rrënjësor të sistemit të drejtësisë dhe do të duhej të bëhej nga njerëz që kanë vullnet e guxim për të ndërmarrë veprime transformuese në sistemin e drejtësisë. Arsyeja pse kam hezitu të jem në këtë panel është se një ndër komisionet më të rëndësishme të kuvendit është përjashtuar komplet nga ky diskutim. Jemi ftuar pa pasur të drejtën e fjalës aty. Kjo është tallje për Komisionin për Legjislacion”.

“Ministri i Drejtësisë tha se kemi bashkëpunim me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikes, po ata nuk do t’i votojnë ato ligje. Vërejtja ime është se ka pasur shumë plotësim-ndryshime në pakon ligjore për sistemin e drejtësisë”.

Të ngjashme