Fondacioni “Konrad Adenauer Stiftung”, Universiteti Kliement Ohridski, Fakulteti i Sigurisë në Shkup, dhe Kolegji AAB, kanë organizuar punimet Forumi Kosovë-Maqedoni i Sigurisë, ku po marrin pjesë personalitete të rëndësishme të sektorit të sigurisë.
Sipas njoftimit për media, në hapje të forumit dekani i Fakultetit Juridik i Kolegjit AAB, Veton Vula i uroi punë të mbarë këtij forumi, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e dhënë, ku për dy ditë do të shtjellohen tema të rëndësishme dhe sfiduese për të dy shtetet.
Menaxheri i Programit në Fondacionin Konrad Adenauer, Zyra në Kosovë, Granit Tërnava tha se rëndësia e kësaj konference sot ka të bëjë pikërisht me thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Maqedonisë sa i përket temës së sigurisë.
“Tema e sigurisë në nivel rajonal, mbetet me rëndësi të veçantë dhe meriton sigurisht vëmendjen e të gjithë neve. Fatkeqësisht për rrethana të njohura për të gjithë, Kosova nuk arriti të fitojë anëtarësimin në Interpol, pak kohë më parë, duke pamundësuar formalizmin ndërkombëtar për vendin, i cili ka shumë të japë për sigurinë. Gjithsesi kjo nuk mund të ndalojë assesi bashkëpunimin rajon në adresimin e temave të sigurisë, dhe Maqedonia është vendi që Kosova duhet ta thellojë bashkëpunimin”, tha ai.
Ndërsa, Koordinatori nacional për reforma shtetërore në Kosovë, Besnik Tahiri, ritheksoi se bashkëpunimi, vullneti dhe siguria janë tre faktorët kyç për stabilitetin e një vendi. Ai gjithashtu tha se në një dekadë shtetësi Kosova ka dëshmuar se është e përkushtuar që të ketë relacione korrekte me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Kur flasim për sigurinë ndërshtetërore dhe stabilititetin ballkanik, këto tri fjali në këtë publikim për mendimin tim janë fjalitë kyçe: e para është vullneti për të qenë serioz në zbatimin e reformave në secilin sektor të administratës së shtetit të funksioneve vitale që ka shteti, në këtë rast po flasim edhe për sundimin e ligjit dhe sigurinë. E dyta ka të bëjë vet me bashkëpunimin rajonal, me mësimin edhe nga sukseset që një shtet i Ballkanit Perëndimor i ka arritur, dhe më e rëndësishmja siguria, andaj ju përgëzoj edhe për publikimin”, shtoi Tahiri.
Agim Nuhiu, zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kenë një funksion të standardizuar të sigurisë i cili duhet të jetë i vendosur në lidhje harmonike me partnerët euroatlantikë.
“Sistemi i sigurisë është njëri prej postulateve më të rëndësishme të ekzistencës së shteteve – ndërsa kërcënimet me elemente penalo juridike si dhe dyndjet masovike nga migracioni janë dhe mbeten test për sigurinë, shtetin juridik, sundimin e drejtësisë dhe për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe qytetari” theksoi Nuhiu, duke shtuar se Maqedonia si dhe Kosova duhet ta kenë lidhje të forta me shtetet euroatlantike.
Në këtë ngjarje ku janë përfshirë struktura akademike e profesionale nga Maqedonia, Kosova e Bosnja e Hercegovina, synohet të identifikohen mekanizmat për trajtimin e rreziqeve dhe kërcënimeve të sigurisë.
Brenda margjinave të këtij projekti do të analizohet dhe hulumtohet në tre fusha që mbështeten në konceptin e sigurisë në të dy vendet, reforma e sistemit të sigurisë, kërcënimet nga terrorizmi dhe luftëtarët e huaj, risocializimi, deradikalizimi dhe rritja e sigurisë përmes politikave për të drejtat e pakicave si dhe rreziku nga ndryshimet e kufijve në regjion.\