Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i bëjnë të detyrueshme trajnimet e Akademisë së Drejtësisë

Prishtinë | 02 Maj 2018 | 15:01 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjyqëtarët dhe prokurorët e Kosovës janë të painteresuar për të marrë pjesë në trajnimet të cilat i mban Akademia e Drejtësisë. Mirëpo, kjo situatë do të ndryshojë nga ky vit. Kjo pasi Këshilli Gjyqësor dhe ai prokurorial kanë miratuar rregulloret të cilat trajnimet e tilla i bëjnë të detyrueshme.

Të gjitha këto u bën të ditura në mbledhjen e radhës të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në të cilën ndër të tjera u shqyrtua edhe raporti i punës së Akademisë së Drejtësisë për vitin 2017.

“Gjyqtarët dhe prokurorët kemi pjesëmarrje aktive, por është edhe shqetësimi që nuk kanë shprehë interes ose ndoshta edhe puna e ngarkuar nuk kanë mundur të marrin pjesë në trajnime. Mirëpo me këtë vit ata e kanë vënë në fuqi rregulloren e tyre për trajnimet e detyrueshme…”, tha Valon Kurtaj nga kjo akademi.

Në anën tjetër, Albulena Haxhiu kërkoi nga Kurtaj më shumë informata lidhur me trajnimet në aspektin e dhunës  në familje dhe çështjeve të tjera gjinore.

Ajo ngriti shqetësimin për mosmbajtjen e trajnimeve me rregull si dhe për vendimet e gjyqtarëve bazuar në mendësi patriarkale, raporton EO.

“Trajnimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve për dhunën në familjen. Mendësia jonë patriarkale po dominon edhe te gjyqtarët dhe prokurorët që me vetëdije po i diskriminon gratë dhe vajzat. Mendësia patriarkale shkon e dominon te gjyqtarët e prokurorët”.

Lidhur me këtë çështje, Kurtaj bëri të ditur se Akademia çdo vit organizon trajnime të veçanta lidhur me këtë çështje.

“Lidhur me trajnimet në dhunë në familje, Akademia e mbulon këtë sferë prokuroritë e gjykatat kanë përcaktu as merren me këtë ku akademia i ka kushtu një interes të veçantë dhe përgatitjes që me mbulu këtë çështje e njëkohësisht edhe çështjes së trashëgimisë… çdo vit kemi trajnime që e mbulojnë këtë fushë”.

Përveç kësaj, Kurtaj fillimisht prezantoi punën e akademisë.

Ai tha se me ligjin e ri, akademisë përveç trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve iu shtohet edhe trajnimi i përmbaruesve privatë, noterëve e profesioneve të tjera.

“Në mandatin e saj, përveç viteve të tjera që e ka pasë trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me ligjin i shtohet edhe për trajnimin e profesioneve të tjera si përmbarues privat, noter, e të tjerë”.

Mirëpo, kjo akademi ende përballet me mungesën e zyrtarëve ligjorë.

I interesuar për këtë çështje ishte deputeti Korab Sejdiu, i cili kërkoi nga Kurtaj të dijë se a ka ndryshuar gjendja në këtë çështje që nga raporti i fundit apo jo.

Në këtë komision është shqyrtuar gjithashtu edhe Projekligji për konsumatorin si dhe Nisma për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Familjen.

Që të dyja morën miratimin e anëtarëve të komisionit.

Të ngjashme