Këshilli i Prindërve të Kosovës, përveç rolit vëzhgues, prej këtij viti do të kenë edhe rol vendimarrës në shkolla, duke përfshirë këtu përzgjedhjen e drejtorëve dhe mësimdhënësve.
Lajmin e ka për të ditur vetë ministri Shyqiri Bytyqi, pas takimit të rregullt që ka mbajtur me përfaqësues të KPK-së.
Bytyqi ka thënë se kjo praktikë do ta depolitizojë arsimin, e njëherësh ka premtuar përkrahje për Këshillin e Prindërve gjatë këtij viti.
“Presim që prindërit ta luajnë një rol shumë aktiv në qeverisjen e shkollave, duke filluar nga udhëzimi adimistrativ që tashmë është duke u përgatitur për zgjedhjen e drejtorëve, një formulë krejt e re e cila do të depolitizojë dhe do t’i minimizojë ndikimet e tjera e deri tek zgjedhja e mësimdhënësve. Po ashtu, edhe aktiviteti i Këshillit të Prindërve që në vitin 2019 do të jetë shumë më aktiv dhe do të kemi aktivitete të përbashkëta dhe aktivitete të veçanta që morën mbështetje nga ana jonë për t’i përkrahur dhe për t’i mbështetur”, ka thënë Bytyqi.
Kurse, kryetari i KPK-së, Ymret Reshiti ka thënë se me përfshirjen e prindërve në rol vendimmarrës në shkolla, pos de-politizimit të arsimit, do të rritet edhe cilësia në arsim.
“Këshilli i Prindërve nuk do të ketë më rol vëzhguesi por do të ketë rol vendimmarrës dhe këtu është bërë një hap pozitiv që do të bëhet në drejtim të de-politizimit të shkollave. Besoj që kjo ka veçse ka marrë nismë të mbarë dhe besoj që brenda këtij viti do ta realizojmë dhe do të vërejmë që jo vetëm që cilësia në arsim do të rritet por edhe menaxhimi i shkollave do të jetë më i mirë”, ka thënë Reshiti.
Po ashtu, gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për grevën e arsimit që SBAShK-u, e ka paralajmëruar për të hënën.
Ministri Bytyqi ka njoftuar se kanë marrë edhe përkrahjen e Këshillit të Prindërve që greva mos të mbahet, sepse sipas tyre, do t’i dëmtojë fëmijët.