Këshilli ia rrëzon edhe një vendim kryeministrit Kurti, rikthen në punë Fadil Kodrën

Prishtinë | 17 Jan 2023 | 16:32 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka vlerësuar të jashtëligjshëm vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Fadil Kodra.

Sipas vendimit të KPMShCK-së, qeveria obligohet ta rikthejë Kodrën në një pozitë të mesme drejtuese në kuadër të Shërbimit Civil.

Lajmin e ka konfirmuar Faton Fetahu, avokati i angazhuar nga ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.

Fetahu ka thënë për Paparacin se vendimin e ka pranuar të martën.

Më 14 korrik të vitit të kaluar, Fadil Kodra ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).

Fadil Kodra ka shërbyer si udhëheqës i agjencisë që menaxhon me njësitë e zjarrfikësve që nga viti 2010, kur ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria “Thaçi 1”. Për shtatë vjet, Kodra shërbeu si Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ndërkaq në pesë vitet e fundit ka ushtruar pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci.

Sipas përshkrimit zyrtar, misioni i AME-së është mbështetja e qytetarëve për tu përgatitur, mbrojtur dhe reaguar nga të gjitha rreziqet e mundshme, kryesisht ato natyrore.

Drejtori i shkarkuar nga detyra është familjar i Ilaz Kodrës, Komandantit të Brigadës 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra heroikisht gjatë luftën për çlirimin e Kosovës më 30 prill, 1999.

Të ngjashme