Kryetari i Këshilli Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, i ka dërguar një telegram kryeparlamentarit Glauk Konjufca, nëpërmjet të cilit e ka uruar atë për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“I nderuar kryeparlamentar z. Konjufca,
Në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe në emrin tim personal, ju shpreh urimet më të sinqerta për zgjedhjen Tuaj kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, institucionit më të lartë i cili përfaqëson vullnetin e popullit.
Ne jemi besimplotë se shumica e re parlamentare do të angazhohet në shërbim të vendit, e po ashtu do të tregojë kujdes të veçantë edhe ndaj shqiptarëve në trojet e veta në Mal të Zi dhe rajon.
Shpresojmë shumë që në një të ardhme të afërt do të kemi bashkëpunim institucional ndërmjet Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çështje në interes të shqiptarëve në të dy shtetet.
Urojmë që punët për zhvillimin e Republikës së Kosovës t’ju shkojnë sa më mirë dhe rezultatet të rikthejnë shpresën e qytetarëve për vendin e vet”, ka thënë Nika.