Shtatë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, në aksionin që po zhvillohet në rajonin e Prishtinës dhe Ferizajt, në kuadër të aksionit “Brezovica”.
Burime të Demokracia.com bëjnë të ditur se dy zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që u arrestuan sot, janë Bedri Halimi dhe Mustafë Hyseni. Dy të arrestuarit, janë zyrtarë të Departamentit të Shpronësimit.
Ndërsa, pesë të arrestuar janë qytetarë të dyshuar për dhënie ryshfeti.
Aksioni është zhvilluar në 10 lokacione të ndryshme, në Prishtinë, Ferizaj e Shtërpcë.
Po ashtu, bastisje pati edhe në objektin e Ministrisë së Mjedisit.
“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke vazhduar aksioni i filluar me datë 21 dhjetor 2021 për rastin “Brezovica”, ku janë duke u bastisur 10 lokacione në qytete të ndryshme, ndër to edhe zyrat e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në njoftim.