“Këtë dimër gripi është më agresiv, kujdes me përdorimin e antibiotikëve”

Prishtinë | 06 Jan 2023 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Vala e infektimeve nga gripi ende nuk ka shënuar kulmin e saj. Për shkak edhe të motit të mirë, piku i infektimeve këtë dimër parashikohet të arrihet në fund të muajit janar, në fillim të shkurtit.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti tha për A2CNN se kjo situatë ishte e pritshme. Të dhënat e para nga shtetet e Hemisferës Jugore flisnin për një grip më agresiv përballë një popullsie që tashmë kishte imunitet ndaj COVID-it, por jo ndaj gripit.

Sa i përket klinikës, mjekët e cilësojnë një grip rebel, me temperaturë të lartë që zgjat për disa ditë, shoqëruar me ethe dhe lodhje. Vetëm në rast komplikacionesh mund të përdoren antibiotikë, por vetëm me rekomandimin e mjekut.

Ashtu si kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj edhe epidemiologu Alimehmeti thotë se situata që po përjeton Kina me koronavirusin është larg Evropës, e cila tashmë ka dalë nga faza akute e pandemisë.

E meqenëse gripi është më aktiv këtë vit, e kjo dihej edhe nga autoritetet shëndetësore, Alimehmeti thotë se duhet të ishin marrë masat më herët në mënyrë që vaksinimi anti-grip të kryhej në tetor, dhe dozat të ishin më të shtuara për të mbuluar të gjitha kategoritë e riskut.

Të ngjashme