Me ngritjen e temperaturave, ethet e minjve si dhe ethet hemorragjike ndër vite kanë qenë problem për qytetarët e Kosovës.
Por, këtë vit, nga ethet e minjve janë infektuar disa persona, por vetëm një nga ta ka shfaqur simptoma të rënda, dhe është i shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas infektologut Sali Ahmeti, pacienti i shtrirë është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Megjithëkëtë, gjatë këtij viti, edhe nga ethet hemorragjike krime kongo, e që shkaktohen kryesisht nga pickimet e rriqrave, një person ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkaq 375 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore vetëm në Klinikën Infektive në Prishtinë, nga pickimi i rriqrave.
“Zonat e prekjes nga ethet e minjve dhe etheve hemorragjike janë muajt qershor, korrik dhe gusht, por mund të ndodh që të zgjatet periudha kohore. Aktualisht kemi një person me ethe të minjve në gjendje klinike shume të rëndë. Por mund të presim raste të reja edhe në muajin gusht. Rastet që nuk manifestojnë shenja klinike nuk hospitalizohen, ata marrin shërbime shëndetësore në ambulanca, e që ka pasur me ethe të minjve. Ndërkaq me ethe hemorragjike krime kongo gjithashtu ka qenë një rast i rëndë, por që fatmirësisht nuk ka përfunduar me fatalitet”, tha Ahmeti.
Institucionet e vendit ka disa vjet që po zbatojnë planin operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemorragjike.
Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se Këshilli Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e këtyre sëmundjeve përmes Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka ndërmarrë masat e duhura edhe gjatë kësaj vere, në komunat endemike si Malisheva, Rahoveci, Klina, Suhareka duke filluar nga ndërgjegjësimi i popullatës për rrezikun, si dhe ndërmarrjen e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtje, duke përfshirë edukimin e popullatës, dezinsektimin selektiv të hapësirave dhe përgatitjen e institucioneve shëndetësore për t’u ballafaquar me rastet eventuale të konfirmuara të etheve hemorragjike dhe atyre të minjve”.
“Këto masa kanë dhënë rezultate pozitive dhe duhet të vazhdohen edhe më tej, deri në përfundimin e sezonit të shfaqjes së etheve hemorragjike dhe vitin tjetër po ashtu. Megjithëse sivjet, bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, numri i pickimeve nga rriqrat është për 50% më i vogël se vitin paraprak dhe shumë më i vogël se në vitet e tjera. Popullata duhet të bëjë kujdes të madh sepse, rastet, nëse neglizhohen dhe nuk kërkohet ndihma profesionale menjëherë, mund të jenë edhe fatale”, tha Hoti.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik tashmë kanë thënë se ethet e minjve, në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës.