Ushtarët italianë nga Ekipi për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak (CIMIC), të caktuar në kuadër të Komandës Rajonale në Perëndim (RC-W) të misionit të KFOR-it, kanë realizuar një projekt për mbështetjen e Stacionit të Zjarrfikësve në Pejë.
Ceremonia e pranim-dorëzimit u drejtua nga komandanti i RC-W-së, koloneli Giuseppe De Blasi, dhe Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME), Shefki Abdullahu.
Projekti përfshiu dorëzimin e një automjeti të ri të tipit “pickup”, i pajisur me një sistem të avancuar për shuarjen e zjarreve.
Ky automjet do të forcojë kapacitetet operacionale të shërbimit lokal zjarrfikës, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë banorët e kësaj komune.
Nga KFOR-i theksuan se kjo nismë dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për bashkëpunim me partnerët vendorë përmes projekteve në dobi të komuniteteve lokale, në mënyrë të paanshme dhe në përfitim të të gjithë qytetarëve në Kosovë.