Në orët e hershme mes të mërkurës dhe të enjtes, qytetarë të Ferizajt thanë se kanë dëgjuar shpërthime në zonën e kampit ushtarak Bondsteel.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e misionit KFOR ka thënë se shpërthimet kanë qenë të shkaktuara nga vetë misioni, si pjesë e aktiviteteve operative rutinë nga ekipet e Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese.
“KFOR-i mund të konfirmojë se shpërthimet që u dëgjuan ishin pjesë e aktiviteteve operative rutinë të ekipeve të EOD-së (Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese)”.
“Këto aktivitete kryhen rregullisht si pjesë e mandatit të vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
“Operacione të tilla përfshijnë ushtrime trajnuese, të cilat janë thelbësore për ruajtjen e gatishmërisë dhe efektivitetit të forcave tona”, u tha në përgjigjen e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun të KFOR-it, për KlanKosova.
Ky mision tha se mbetet i përkushtuar ndaj transparencës dhe do të vazhdojë të ofrojë informacion mbi aktivitetet e tij sipas nevojës për të siguruar raportim të saktë dhe të përgjegjshëm.