Kosova në perspektivën e shkrimtarit dhe publicistit, Kim Mehmeti, ka luajtur rol të madh te shqiptarët e Maqedonisë. “Ajo që e ka mbrojtur shqiptarinë në Maqedoni është Kosova.
Është Prishtina”, ka thënë prerazi Mehmeti në takimin e organizuar me të në Qendrën për Edukim dhe Kulturë “Libart” në Prishtinë. Mehmeti, derisa ka elaboruar emancipimin e shqiptarëve në Maqedoni, ka thënë se po të ishte Prishtina, shqiptarët e Maqedonisë nuk do të ishin asgjë. Ka përmendur shkollimin e kuadrove të shqiptarëve në Universitetin e Prishtinës, shpërndarjen e librave shqip në Maqedoni gjatë ish-sistemit dhe botimet e veprave të shkrimtarëve shqiptarë nga Maqedonia në ish-ndërmarrjen botuese “Rilindja” në Prishtinë.
“Rilindja të bënte shkrimtar edhe po të mos ishe”, ka thënë ai në kuptimin e asaj që kjo ish-ndërmarrje vlerësonte tekstet letrare dhe i botonte veprat e shkrimtarëve të rinj nga Maqedonia.
“Gjithmonë jam shumë i ndjeshëm ndaj Kosovës”, ka thënë ai në këtë ngjarje të mbajtur në bibliotekën “Hivzi Sylejmani”.
Në këtë rast, ai ka thënë se rol të madh në ruajtjen e identitetit të shqiptarëve në Maqedoni ka pasur shumë edhe gjuha shqipe që, sipas tij, është ruajtur më së shumti nga nënat. Ka thënë se baballarët kanë lëvizur më shumë se nënat dhe kanë sjellë fjalë sllave në shtëpi. Në këtë rast, ka thënë se feja kishte një rol të vogël po ashtu pasi ishte e ndryshme nga ajo e maqedonasve.
Mehmeti, i cili për një orë e gjysmë ka folur për tema të ndryshme, ka thënë se Shkupi në ditët e pandemisë është si fantazmë pasi ka më shumë shtatore sesa njerëz.
Sa u përket filleve të tij në letërsi ka thënë se për të përcaktues ishte mësuesi i gjuhës shqipe, prizrenasi, Safet Fejzullahu. “Ai i pari e zbuloi tek unë prirjen për shkrim”, ka thënë Mehmeti. Në këtë rast ka shtuar se jo të gjitha ëndrrat plotësohen, por duhet pasur një ëndërr bosht.
“Në këtë planet nuk jetojnë njerëzit e realizuar dhe të lumtur. Nuk është lumturia kur e arrin cakun. Duhet të dish që të kënaqesh gjatë rrugëtimit drejt cakut. Pasi kur e arrin cakun mund të jesh i vetmuar”, ka thënë ai.
Për lexueshmërinë në ditët e sotme, Mehmeti nuk është ankuar. Ka thënë se ajo duhet të jetë nevojë e njerëzve. Sipas tij, në Shqipëri të gjithë ishin lexues pasi diktatori Enver Hoxha i detyronte.
“Lexues është ai që e ndien nevojën për leximin”, ka thënë Mehmeti. Sa i përket letërsisë shqipe, për të, ajo është një.
“Nëse fillojmë t’i ndajmë do të kesh edhe letërsi gjakovare, dibrane e të tjera. Te të gjitha gjuhët e botës e ke gjuhën letrare dhe gjuhën e rrugës. Librat e Tiranës i gjen në Prishtinë. Por, jo të Prishtinës e Shkupit në Tiranë. Neve na mbyti mendjemadhësia e Tiranës së është e vetëmjaftueshme e bën kulturën e letërsinë e të tjerat. Pastaj është arroganca e Prishtinës. Na mbytën këto dyja”, ka thënë ai. Për Mehmetin, që është autor i disa romaneve, shqiptarët janë lokalistë të mëdhenj dhe nuk kanë histori të përbashkët. “Harrojmë që boshti ynë kurrizor është për shembull edhe Lugina e Preshevës. Ne harrojmë një gjë që ka shumëçka që ka ndodhur. Vjen koha që ata që e kanë parë atë histori nuk do të ekzistojnë. Andaj, ne duhet të shkruajmë pasi vijnë gjenerata që nuk e dinë se çfarë ka ndodhur. Pas një kohe ngjarjet nuk janë si kanë qenë, por ashtu si janë shkruar”, ka thënë ai. Për këtë ka thënë se në artin e tij është munduar që të thotë të vërteta për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Të bërit shkrimtar, ka thënë ta ketë ndier, kurse gazetar është bërë pasi nga të qenit shkrimtar nuk jetohej.
“Çdo i ri e para që do të bëhet është këngëtar. Nëse dështon të bëhet këngëtar bëhet gazetar. Nëse nuk i ec puna as si gazetar bëhet politikan. Te ne u zhvlerësua gjithçka. Ne u bëmë popull tallava”, ka thënë ai. Sipas Mehmetit, edhe më destruktive se tallavaja për të rinjtë është interneti ku mund të manipulohen shumë lehtë. (Koha)