Pronarët e kiosqeve të Prishtinës sërish po protestojnë para objektit të Komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Ata po kundërshtojnë kriteret e vëna nga komuna, duke konsideruar se ato janë diskriminuese dhe të papërballueshme për ta.
Sabedin Hasani, përfaqësues i bizneseve të vogla në Komunën e Prishtinës, para mediave tha se Komuna e Prishtinës po diskriminon bizneset e vogla në Prishtinë duke iu dhënë përparësi bizneseve të mëdha.
“Na jemi shfrytëzues të kioskave dhe po kërkojmë të drejtat tona. Komuna e Prishtinës ka shpall konkurs që është diskriminues për neve. Ata u hapin rrugë bizneseve të mëdha e jo neve. 70 persona mbesin pa punë me biznes të vogla dhe me këta kisha me thënë kjo është lufta e parë që po fillon në mes të klasës milionere dhe fukarasë”, tha ai.
Përfaqësuesi i Grupit të Asamblistëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, tha se Grupet Parlamentare janë pro anulimit të këtij vendimi dhe do të bëjnë përpjekje që ta anulojnë atë.
“Grupet parlamentare kanë shprehur interesimin për seancën e jashtëzakonshme për anulimin e atij vendimi, si kusht që këta të disiplinohen në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Ne do të bëjmë përpjekje për anulimin e këtij vendimi sepse kemi rolin e këshilltarit dhe kemi obligim që t’i mbrojmë këto interesa”, tha ai, raporton EO.
Asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, tha se për këtë seancë ka pasë presion nga ekzekutivi që mos t’i lejojë të hyjnë në sallë.
“Si asnjëherë më parë për këtë seancë ka pasë presion nga ekzekutivi që mos t’i lejojë të hyjnë në sallë. Po e shohim së ekzekutivit nuk po i bëhet vonë dhe komuna po vazhdon këtë ankand ta kthen në diskriminues. Për t’i dhënë para komunës qytetarët bredhin nëpër zyret e komunës për të paguar qera”, tha ai.
Në shpalljen e re për dhënien në shfrytëzim të kioskave, Komuna ka vendosur që ato t’i jap për ofertues të cilët në tri vjetët e fundit kanë pasur qarkullim prej 5 milionë euro.
Ata që duan të bëhen pronar të tyre, gjithashtu duhet të kenë një rrjet tregtar prej më së paku 5 marketeve të shitjes me pakicë në territorin e Prishtinës.
E këto kritere sipas shfrytëzuesve janë diskriminuese dhe si të tilla janë të papranueshme për ta, raporton EO.
Prandaj at kërkojnë nga asambleja komunale e Prishtinës që të votojnë më shumicë të votave që shfrytëzuesve aktual t’u vazhdohet e drejta e shfrytëzimi te hapësirës nga 10 deri ne 40 vjet.