Mështekna e bardhë është një pemë drunore tepër kurative, pasi asaj i përdoren të gjitha pjesët: druri, gjethet, lëvorja, lëngu dhe rrënjët. Ka një lëkurë të bardhë dhe rritet deri në 40 metra lartësi. Preferon më tepër zonat e thella të ahut dhe të drurëve halorë, por mund të kultivohet edhe si pemë dekorative, nëpër parqe e lulishte.
Bima ka një trung të lartë ku renditen sythat në formë tjegullash. Degët e reja janë plot me gjëndra rrëshinore. Aty vendosen edhe gjethet majëgjata si në formën e rombit, ngjitëse kur janë të reja, me shumë dhëmbë të sharrëzuar.
Fruti i bimës është i imët dhe me formë vezake. Ai formohet pas pjalmimit të lulësave mashkullore me ato femërore. Lulet mashkullore të mështeknës rrinë të bashkuara tre e nga tre dhe çdo lulës ka nga një kupë të imët dhe 2 thekë të copëtuar.
Ndërsa lulet femërore janë të mëdha dhe pa kupë. Gjethet duhet të mblidhen gjatë verës.
Ato thahen në hije dhe në vende të ajrosura mirë, duke ruajtur kështu rezerva të mira në saponinë, vajra eterikë, flavonoide, e materie të tjera mjekësore, të cilat njihen gjerësisht për kurimin e sëmundjeve të veshkave, posaçërisht kundër pezmatimit të tyre dhe qetësimit të fshikëzës dhe kanaleve urinare.
Sythat mblidhen më herët, në pranverë. Ata stimulojnë krijimin e lëngut tëmthor.
Ndërsa lëngu kurativ i mështeknës këshillohet të mblidhet në shkurt-mars, duke u ruajtur në enë të pastra e të vulosura mirë. Shpeshherë, shfrytëzohet edhe katrani i mështeknës, i cili përftohet me distilimin e thatë të trungut, rrënjës ose lëkurës së saj.
Me përdorim të jashtëm, ai është i vlefshëm kundër parazitëve të zgjebes dhe sëmundjeve të tjera të lëkurës.
Sëmundjet e veshkave
Merren 2-3 gr gjethe të thara dhe të thërrmuara të mështeknës dhe ziehen, me 150 ml ujë. Ena vuloset dhe lihet të pushojë për 10-15 minuta. Më pas kullohet dhe konsumohem gjatë ditës deri në 3 gota të saj, të ëmbëlsuara me një lugë kafeje mjaltë.
Kundër sëmundjeve reumatike
Për të kuruar sëmundjet e reumatizmës, merren 4-5 grushta me lëkurë mështekne të tharë dhe të thërrmuar imët. Ato përvëlohen në 3-4 litra ujë, duke u lënë më pas rreth gjysëm ore, që të thartohen. Tretësira e përftuar kullohet, ngrohet në temperaturë të durueshme dhe në të zhyten pjesët e sëmura të trupit, 1-2 herë në ditë.
Lëngu i mështeknës ka gjetur përdorim efikas në mjekësinë popullore edhe si:
Pastrues efikas i gjakut;
Kundër sëmundjeve të lëkurës.