Komentatori i televizionit publik gjerman ZDF, Oliver Schmidt, shkaktoi reagime gjatë finales së Kupës së Botës 2026, pasi kritikoi presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.
Në momentin kur kamerat fokusuan Trump dhe Infantinon në tribunën VIP, me trofeun e Kupës së Botës të vendosur pranë tyre, komentatori tha: “Epo… kjo është shkelje e të gjitha rregullave. Ta vendosësh trofeun e Kupës së Botës posaçërisht në prehrin e presidentit? Trump dhe Infantino! Janë një dyshe e përkryer. Të magjepsur nga pushteti… por, edhe nga vetja e tyre”, transmeton Klankosova.tv.
Komenti i tij i referohej traditës së futbollit dhe jo një rregulloreje zyrtare të FIFA-s, sipas së cilës, futbolli ka respektuar prej kohësh një traditë të pashkruar që trofeu i Kupës së Botës duhet të qëndrojë nën mbrojtje të rreptë dhe të preket vetëm nga një grup i përzgjedhur personash, përfshirë zyrtarët e FIFA-s, ish-kampionët e botës dhe, në fund, kampionët e saposhpallur.
Deklarata e komentatorit gjerman u bë virale në rrjetet sociale, ndërsa polemikat u shtuan edhe më shumë pas ndeshjes, pasi ndryshe nga tradita, ku liderët dhe zyrtarët largohen pas ceremonisë së medaljeve dhe dorëzimit të trofeut, Trump qëndroi në mes të festës së Spanjës, derisa Gianni Infantino u pa duke e nxitur të largohej, në mënyrë që kampionët e rinj të festonin të vetëm.
Trump dhe Infantino u shoqëruan gjithashtu me fishkëllima nga një pjesë e tifozëve gjatë ceremonisë së ndarjes së trofeut.
