KKTK: Lufta në masë të madhe e ka shkatërruar trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Kosovës

Prishtinë | 19 Dhj 2024 | 11:29 | Nga Diellza Gashi

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka mbajtur konferencën vjetore me temën “Trashëgimia kulturore shpirtërore: Çka dhe si mund të ruhet”, raporton Ekonomia Online.

Deputeti Ardian Gola ka theksuar rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe identitetit të saj.

Gola ka theksuar se trashëgimia kulturore është një pjesë e historisë dhe identitetit të një kombi, dhe se nuk mund të ketë një popull pa një histori dhe identitet.

“E pamë që në dhomën tjetër është projekt diskutimi për një platformë kundër korrupsionit. Nëse ka diçka që na relakson është koncepti i trashëgimisë kulturore. Përtej këtij lehtësimi konsideroj që ka një mori dimensionesh përmes mundemi që t’i qasemi. Trashëgimia kulturore është histori dhe identitet për vetmen arsye që nuk ka qenie njerëzore pa histori dhe identitet. Në të gjithë këtë evoluim është e rëndësishme të gjendet një emërues i përbashkët. Është e rëndësishme dimensioni identitetit e kulturës”, ka thënë Gola.

Betim Elezi, nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, sidomos në pasojat që ka lënë lufta e fundit në Kosovë.

Tutje, ai shtoi se trashëgimia shpirtërore, është thelbësore për krijimin e historisë dhe identitetit të një populli.

“Jemi mbledhur këtu me qëllim të trashëgimisë kulturore. Viteve të fundit është diskutuar që të ruhet qenësia e saj dhe mos të zhduket. Trashëgimia shpirtërore ruhet brez pas brezi dhe së bashku krijon historitë e tyre dhe njëkohësisht e ndjen edhe identitetin e tyre në vazhdimësi. Nuk mund të ikin faktin luftës së fundit në Kosovës, ajo në masë të madhe e ka shkatërruar trashëgimin kulturore dhe shpirtërore. Ne duhet të kemi një trajtim të veçantë kur punojmë me regjistrimin e trashëgimisë shpirtërore”, ka thënë Elezi.

Anduena Balaj, nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, ka folur për rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë shpirtërore, duke theksuar se kjo fushë është e rregulluar nga Ligji për Trashëgimi Kulturore dhe aktet tjera ligjore, përfshirë edhe konventat ndërkombëtare.

“Ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë shpirtërore – si kategoritë e përcaktuar rregullohet me Ligjin për Trashëgimi Kulturore, aktet tjera normative si dhe Konventat Ndërkombëtare. Bazuar në legjislacionin në fuqi respektivisht në Rregulloren 06/2017 Muzeu Kombëtar i Kosovës është institucion kompetent për kategorinë e trashëgimisë së luajtshme dhe shpirtërore e që bashkërendon veprimet në bashkëpunim dhe koordinim me Qendrat Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në veçanti, si dhe institucione tjera e organizata në përgjithësi. Në këtë kuadër, Muzeu Kombëtar i Kosovës është angazhuar në avancimin e kornizës ligjore për këtë fushë, me theks të veçantë duke draftuar Projektligjin për Muzetë. Ky projektligj presim të jetë në agjendën legjislative për vitin e ardhshëm”, ka thënë Balaj.

Të ngjashme