Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) ka organizuar diskutimin mbi nevojën e rishikimit funksional të qeverisjes lokale dhe përafrimin me modelet evropiane të funksionimit të komunave.
Në sesionet e ndara u trajtua tema “Organizimi dhe Funksionimi i Qeverisjes Lokale në Evropë” duke pasqyruar modelet dhe praktikat e mira në këtë fushë.
Duke pasur parasysh se komunat janë dora e parë e shtetit në ofrimin e shërbimeve, ky modul do të shërbejë edhe si mundësi reflektimi për rrugën që duhet ndjekur drejt reformave në përqafimin e modelit evropian.
Ambasadori i Mbretërisë norvegjeze në Prishtinë, Per Strand Sjaastad, ka folur për sistemin e Qeverisjes Lokale në Norvegji në kuadër të programit “Akademia për Qeverisje Lokale”, raporton Ekonomia Online.
Ai ka potencuar se një qeveri qendrore është e mirë vetëm atëherë kur qeverisja lokale nuk ka probleme dhe zhvillohet në mënyrë të rregullt. Ai ka thënë se komuna është dora e parë e një shteti me rëndësi.
Sipas tij, autoritetet e nivelit lokal dirigjohen nga autoritet qendrore, nivelet lokale kanë autonomi, kanë pushtet, kanë autoritet dhe nuk mund të largohen nga nivelet lokale.
“Në Norvegji nesër qeveria qendrore mund të ndryshoj një ligj, ku mund të ndërpres autoritetet e nivelit lokal. Në Norvegji kemi tri lloje të qeverisjes, në Kosovë kemi dy. Kemi nivelin shtetëror, nivelin e bashkive, niveli tretë është komunal. Kemi një numër të madh të komunave fatkeqësisht, me shumë se 350 komuna. Kemi diskutuar që të zvogëlohet numri i komunave në mënyrë që të përfitojnë shërbime më të mira për publikun”, ka thënë ai.
“Norvegjia nuk është pjesë e BE-së, por bashkëpunojmë shumë me ta, është e nevojshme për të zgjidhur disa nga këto sfidat, kësaj i referohem jo konsistencë e mundshme, shpërndarjen e kompetencave për qeverisje e komplementojnë njëra-tjetrën. Kosova është vend i ri, por shoqëria është e vjetër, kombi është i vjetër, kjo do të thotë që ju do të keni probleme të pa zgjidhura në Kosovë”, tha ai.
Ai ka theksuar se Kosova duhet të përparojë shumë që të ketë sistem financiar solid, “duhet të rregullohet ekonomia e taksave, në Norvegji niveli i taksimit është më i ashpër se në Kosovë”.
“Në Kosovë nuk ka taksim të drejtpërdrejt në komuna, në Norvegji komunat kanë taksim të drejtpërdrejt të ardhurat e taksimit i taksojnë njerëzit dhe korporatat..”, tha ai.
Drejtori ekzekutiv i KLGI-së, Besnik Tahiri, prezantoi modelet e qeverisjes lokale evropiane dhe ato të shteteve rajonale. “Me Akademinë për Qeverisje Lokale bëmë analizë krahasuese dhe diskutuam nevojën që në Kosovë të bëjmë një reformë substanciale”.
“Epoka e decentralizimit politik ka përfunduar tani duhet të adaptojmë një model funksional të qeverisjes lokale në vend. Çdo reformë e pjesshme e dëmton sistemin dhe funksionalitetin e komunave”, tha ai.
“Në qoftë se shohim ku ka qenë sistemi vitin 2000 dhe ku është sot, ka pasur një evoluim të madh, në këtë kuptim do të duhej ta shikojmë procesin e reformës dhe në veçanti duke pasur parasysh Kosova që do ketë kushtëzime dhe do ketë nevojë për një kapacitet të shtuar”, tha ai.
“Rrjedhën e decentralizimit dhe reformës së shteteve përreth, ne kemi bere një vlerësim të asaj se çka është perspektivë. Sfida e parë është kapaciteti financiar dhe diferenca ekonomike mes komunave urbane dhe rurale, një ndër arsyet kryesore që sistemi në Shqipëri ka ndryshuar, komunat rurale nuk kanë pasur kapacitet që si njësi e shtetit të kthehen në institucion”, shtoi Tahiri.
“Çështja e dytë shumë sfiduese ka të bëjë me kapacitetin administrativ, për t’i ofruar shërbime më të mira, kapaciteti administrativ trajtohet prej perspektives vendimmarrjes në komunë, ka një çalim serioz në procesin e vendimmarrjes politike që vjen nga ekzekutivi dhe po ashtu nga niveli i asambleve komunale që shumicën e rasteve roli i tyre është minimal”, tha ai.
Norbert Piljs, menaxher i programeve DEMOS, theksoi se në shtetin nga vjen ai Holanda, kryetari i komunës zgjidhet nga mbreti “dhe ai zakonisht merrte politika nga niveli qendror”.
“Kemi tentuar të ndryshojmë këtë zgjedhje të kryetarit të komunës, jemi kritikuar, por ne nuk mund të ndryshojmë kushtetutën, sepse janë gjithmonë politikanët që kanë dëshirë të kenë një post pas përfundimit të tyre në qeveri”, tha Piljs.
Në kuadër të këtij vizioni, Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale është duke ofruar një program substancial në fushën e qeverisjes lokale, që njihet si Akademia për Qeverisje Lokale (LGA), e para e këtij lloji në Republikën e Kosovës. LGA është dizajnuar të shërbejë si platformë dhe mënyrë e edukimit jo formal për zyrtar dhe lider komunal të qeverisjes lokale. Qëllimet e LGA përqendrohen në përkrahjen e qeverisjes dhe demokratizimit lokal në Kosovë.
Në kuadër të programit janë 30 anëtarë, një nivel i lartë i përfaqësimit të komunave pjesëmarrëse: Prishtinë, Suharekë, Dragash, Mamushë dhe Kllokot. Në këtë grup janë përfshirë edhe anëtarë nga MAPL, Zyra Kombëtare e Auditorit dhe Shoqëria Civile.