Klinaku – Bislimit për hapjen e arkivave: Njëjtë sikur të pajtohesh se Kosova është krahinë e Serbisë

Prishtinë | 09 Sht 2021 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku i ka reaguar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pasi ky i fundit tregoi sot se në takimin me përfaqësuesin e palës serbe, Petar Petkoviq të mërkurën janë marrë vesh që të hapen të gjitha arkivat.

Klinaku ka thënë se kjo i bie njësoj sikur “të pajtohesh se Kosova është Krahinë e Serbisë”.

“Arkivat e UÇK-së kanë qenë të hapura, janë poashtu të hapura sepse nuk ka çka fshehet në to. Ato janë histori që i duhen shtetit të Kosovës. Ka eksponate të luftës, të dëshmorëve e luftëtarëve në muzeun e Kosovës.
Nëse është e vërtetë që zv.Kryeministri i Kosovës paska diskutuar dhe qenka marrë vesh me Serbinë që të “hapen” edhe arkivat e UÇK-së, është njëjtë sikur të pajtohesh se Kosova është Krahinë e Serbisë”, ka shkruar Klinaku në Facebook.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, gjitashtu i ka reaguar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, duke e pyetur aë nëse e ka fjalën për arkivat e Serbisë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas saj, arkivat për të cilën foli Bislimi tashmë janë në Hagë.

“Zv.kryeministri paska deklaruar në Bruksel se Beogradi është pajtuar t’i hapin arkivat, e aty paska thanë edhe diçka për hapjen e arkivave për UÇK-në. Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën? Arkivat e Beogradit për UÇK-në? Ato tashmë janë në Hagë. Arkivat e Kosovës për UÇK-në? Apo arkivat e fabrikuara nga të tjerët për UÇK-në? Ju a po mendoni që me pasë pasë UÇK arkiva të tilla ato nuk kishin dalë tashmë?!!!”, shkroi Çitaku, duke shtuar se ky dakordim mes Kosovës dhe Serbisë është grackë e rrezikshme me pasoja të frikshme.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi sot në një konferencë për media ka folur për takimet dy ditore që ka pasur në Bruksel me palën serbe dhe Emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak. Bislimi tha se pala serbe është dakorduar që të hapen arkivat shtetërore. Ai tha poashtu që ndërprerja e marrëveshjes për targat që ka pasur afat skandence është interpretuar nga Bashkimi Evropian si shkelje nga ana e palës kosovare.

“Gjatë takimit trilateral, pala serbe ka deklaruar se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, sipas tyre nënkupton edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Unë mendoj që kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1600 qytetarëve ndodhen në këto varreza për të cilat kanë informata kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, tha ai.

Të ngjashme