Klinika e Gastrologjisë pajiset me aparaturën që i mungoi për tri vjet

Prishtinë | 23 Gus 2018 | 10:36 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar Gastrologjinë, ku ka bërë dorëzimin e disa pajisjeve për këtë klinikë.

Aparatura videogastroskope dhe videokolonoskope, që të dy këto shërbime kanë munguar që 3 vjet në këtë klinikë, nuk është bërë fare ky shërbim, pacientët të cilët kanë pasur nevojë për trajtimin me këtë aparaturë janë trajtuar vetëm në klinika private, pasi që QKUK nuk ka pasur një të tillë, raporton Ekonomia Online.

Shërbimi në sektorin privat me këtë aparaturë kushton mbi 100 euro dhe shërben për kontrollimin e zorrëve dhe të lukthit.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se në këtë klinikë është një ambient i disponueshëm, pasi që kërkesa e stafit për një kohë të gjatë ka qenë që të pajisen me këtë aparaturë.

“Për një kohë të gjatë nuk ka pas fare aparaturë dhe punëtorët shëndetësorë nuk kanë arritur t’i plotësojnë ato çka kanë mundur, ky është një aparat modern dhe i mundëson punëtorëve shëndetësorë që ta japin profesionalizmin e vet. Për qytetarin, kjo nënkupton që do të ketë shërbime në QKUK dhe jo të endet dhe shpenzoj para nëpër klinika të ndryshme kur dihet se këta njerëz janë këtu për ta”.

“Këta janë këtu për të shërbyer, nuk ka nevojë të shkohet në klinika private, pra është fitore e dyfishtë, në një anë e arrijmë potencialin e kuadros tonë, në anën tjetër e ruajmë xhepin e qytetarëve dhe e arrijmë një kënaqshmëri më të madhe në sistemin shëndetësor”, tha Ismaili.

Pajisja e cila i është dorëzuar sot QKUK kap vlerën e 70 mijë eurosh.

Drejtori i ShSKUK, Basri Sejdiu, tha se përfituesit më të mëdhenj janë pacientët, ku tani kanë mundësinë të vijnë dhe të trajtohen në institucionin publik.

“Ajo çfarë jemi zotuar më herët është se do t’i pajisim me metoda të reja. Ne kemi pasur një pajisje të stërvjetëruar, e blerë në vitin 2002 dhe në tri vitet e fundit nuk ka pasur fare gastroskop dhe golonoskop. Tani, kanë një aparaturë të re, stafi nuk mungon, kështu që i përgëzoj edhe për punën, por do t’i mbështesim vazhdimisht dhe përfituesit më të mëdhenj do të jenë pacientët, ku do të kenë ku të vijnë, do të trajtohen nga mjekët tanë dhe në institucionet tona publike”, tha Sejdiu.

Ndërsa, Drejtori i Klinës së Gastrologjisë, Zaim Gashi, tha se është i lumtur që pas disa viteve mungesë të një aparature të tillë, kjo klinikë është pajisur me të dhe pacientëve të saj trajtimi do t’u kryhet në këtë klinikë dhe jo në klinika private siç është bërë në të kaluarën.

“Pas shumë nevojave të mëdha dhe kërkesave që janë bërë në të kaluarën, keni reflektuar, keni pasur mirëkuptim dhe tani po shihet rezultati i drejtpërdrejt, që do të kemi mundësinë, ku kuadri, që është i përgatitur për këtë punë, me të vërtetë, mund ta tregoj vetën dhe ajo që është më me rëndësi, shërbimet tona që mund t’i kryejmë këtu pacientët mundësisht të mos i dërgojnë jashtë, kur kemi mundësi me i kry këtu dhe kështu edhe fondin tonë mund ta ruajmë”, tha Gashi, raporton Ekonomia Online.

 

 

Të ngjashme