Ikja e stafit profesional mjekësor nga vendi e pensionimi i tyre ka bërë që shumë klinika në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të mbesin pa anesteziologë dhe infermierë, raporton Ekonomia Online.
Me mungesë të anesteziologëve dhe infermierëve po përballet edhe Klinika e Kirurgjisë Vaskulare.
Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, i cili beson se shumë shpejt do të zgjidhet kjo situatë.
“Sa i përket repartit tonë, shumë shpejt do të pensionohen 2 infermiere. Për momentin kemi mungesë të infermierëve, por jo ashtu që mund të ndikojë në zhvillimin e punës sonë. Besoj se do bëhet zgjidhje nga menaxhmenti. Presim të hapet edhe konkursi dhe besoj që do të zgjidhet kjo. Staf kemi, por problemi është me anesteziologë”.
“Listë të pritjes nuk kemi; herë pas herë jemi të detyruar me pritë një javë – dy për vende në mjekimin intensiv qendror. Gjithashtu kemi raste kur duhet të trajtohet pas intervenimit kirurgjik në mjekimin intensiv qendror, 24 deri në 48 orë. Shpesh jemi të hendikepuar t’i shtyjmë edhe ato operacione deri të na lirohet një vend, për arsye se dihet për krejt Kosovën e kemi vetëm atë shërbim”, tha Rudari.
E liberalizimi i vizave ka ndikuar që të ketë ikje të stafit profesionist shëndetësor.
Por, Rudari thotë se ikja ka ndodhur edhe para se të ndodhte ky proces.
“Edhe para liberalizimit kemi pasur 5 specializantë të mjekësisë vaskulare, prej tyre 4 veç kanë shkuar jashtë, janë larguar, vetëm një specializant të kirugjisë vaskulare, do të thotë staf tjetër nuk kemi që janë larguar, përveç specializantëve”, theksoi ai.
Drejtori Rudari ka folur edhe për renovimet që janë bërë në këtë Klinikë.
“Renovimet kanë përfunduar, jemi të kënaqur sepse sallat janë në nivel komod si duhet të jenë më filtër dhe presim tash të hapet shërbimi i ri endovaskular i cili deri tash s’ka qenë i zhvilluar këtu. Për këtë rast është dashur të trajtohen pacientët jashtë Klinikës sonë. Besoj që shumë shpejt, në ditët vijim do të fillojmë edhe me endovaskulare”, shtoi ai.
Rudari shtoi se pas renovimit janë të furnizuar edhe me aparatura, porse kanë nevojë vetëm për instrumente kirurgjike.
“Përndryshe aparaturat i kemi është investuar edhe në aparatura çka na duhen për momentin edhe na kanë premtuar edhe instrumente kirurgjike”, theksoi Rudari.