Klopp insiston se Liverpooli ende mund ta humbë Premierligën

Prishtinë | 24 Jan 2020 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i ka mohuar me të qeshura sugjerimet se gara për titullin e Premierligës tashmë ka marrë fund dhe ka insistuar se “asgjë nuk është e vendosur para se të vendoset”.

Liverpooli e ka bërë startin më të mirë të një sezoni të ri nga të gjitha klubet në top pesë ligat e Evropës – Premierligë, La Liga, Serie A, Bundesligë dhe Ligue 1 – në histori.

Djemtë e Jurgen Kloppit e kanë thyer rekordin paraprak të vendosur nga Manchester City në sezonin 2017/18 – kur skuadra e Guardiolën e mbylli sezonin me 100 pikë, hera e parë që ndodhi një gjë e tillë në histori të Premierligës.

Tani kurioziteti i tifozëve ka kaluar nga pyetja se a mundet Liverpooli ta fitojë titullin e Premierligës te kur mund ta fitojë më së shpejti këtë trofe. Pas fitores kundër Ëolves në xhiron e 23-të, Liverpoolit i duhen edhe 27 pikë për ta siguruar titullin e Premierligës, që do të thotë edhe nëntë fitore.

Pasi që tani tifozët ndihen të sigurt se Liverpooli do ta fitojë titullin e parë të kampionit të Anglisë në 30 vjet, skuadrës së Liverpoolit i është vënë etiketa “Të pashmangshmit”. Por, Kloppi insistoi se ende s’është vendosur asgjë, kur u pyet për këtë gjë.

“Neve s’na intereson fare për këto gjëra, të paktën jo mua. Mendoj se për momentin as nuk jemi të kualifikuar matematikisht për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Klopp.

“E vetmja gjë që duhet ta mendojmë është të përqendrohemi te ndeshja e radhës, që është kundër Shrewsbury, pastaj kundër West Hamit e Southamptonit. Kështu është situata. Unë s’mund ta ndryshoj këtë”.

“Kurrë s’kam dëgjuar që diçka është vendosur para se të jetë e vendosur. Kështu që pse do të duhej të mendojmë për këto gjëra? Ndeshja e fundit ishte një shembull i mirë për situatën tonë. S’e kishim lehtë, por luftuam aq sa mundëm”.

Nëse Liverpooli vazhdon me të njëjtin ritëm, duke e fituar secilën ndeshje, dhe nëse edhe rivali i tyre më i afërt vazhdon duke i fituar gjithashtu të gjitha ndeshjet, Liverpooli mund të shpallet kampion i Premierligës më 4 prill kundër Manchester Cityt në Etihad, me gjashtë ndeshje të mbetura deri në fund./ge

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme