Me një mungesë të certifikuar si Virgil Van Dijk, që nuk ka humbur thuajse asnjë duel këtë sezon, e me plot dyshime të tjera, për një ndeshje vendimtare në Ligën e Kampioneve, trajneri Jurgen Klopp duhet të riformatojë skemat e tij te Liverpool.
Tekniku i “The Reds” po përballet me pezullime e dëmtime që mund të cënojnë ambiciet e tij për triumfin në Champions, sidomos kur sot luan ndaj gjigantëve gjermanë të Bayern Munchen.
Roberto Firmino dhe Dejan Lovren nuk u stërvitën në “Mellud Park”, në vigjiljen e sfidës së turneut elitar kontinental. Firmino vuan nga një virus gripi, ndërsa mbrojtësi ballkanas nuk është aktivizuar me Liverpoolin që kur mori një dëmtim muskulor në 7 Janar, në FA Cup kundër Wolverhempton.
Kroati me shumë gjasa nuk do të aktivizohet dhe pozicionin e tij do ta marrë Fabinho. Këtyre mungesave u shtohet edhe Xho Gomez me frakturë në këmbë, ndërsa as Xherdan Shaqiri nuk është në kushte optimale.
“Duhet të shohim se cilët futbollistë do të kemi në dispozicion. Xherdan Shaqiri kishte një stërvitje, por do të shikojmë si do të reagojë deri ditën e ndeshjes. Është mirë kur ke opsione të tilla si ai, pasi ndaj Bayernit, në një turne si Champions, nuk është aspak e lehtë”, tha trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp. /Top Channel