Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, nuk pret nga Xherdan Shaqiri ta ketë edicionin më të mirë prej të gjithëve, por shpreson që ai të bëjë një hap pozitiv në karrierën e tij duke u paraqitur mirë për Liveroolin.
Shaqiri pas eliminimit të Zvicrës nga kampionati botëror “Rusia 2018” u prezantua me fanellën e Liverpoolit, transmeton “Koha Ditore”. Te Liverpooli u transferua nga skuadra e Stoke Cityt që nuk siguroi mbijetesën në Premier League. Me Liverpoolin, reprezentuesi i Zvicrës ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2023.
“Kishim mungesa në fazën e sulmit kështu që ne sollëm Shaqirin. E patë duke luajtur në Kupën e Botës. Jo vetëm në Kupën e Botës, por pavarësisht rënies së Stoke Cityt, Shaqiri pati lojëra të mira. Dëshmoi veten se nuk e meriton të jetë në një skuadër që lufton për mbijetesë. Ai nuk mund të ketë sezonin më të mirë në botë, por ai mund të bëjë hapin tjetër pozitiv. Për të, në karrierën e tij është një moment shumë i mirë, duke e llogaritur se është 26-vjeçar dhe ka fituar përvojë”, ka thënë Klopp për uebfaqen e klubit anglez.
26-vjeçari nga Gjilani është me pushime dhe ende nuk ka nisur përgatitjet me Liverpoolin. Pritshmëritë te Liverpooli janë të mëdha.