Dita është më e shkurtër për dhjetëra pensionistë gjilanas kur moti është i mirë.
Dikush niset nga shtëpia me shahun nën sqetull e dikush me kartat në xhep. Vijnë nga fshatrat e lagjet e ndryshme të rrethinës së Gjilanit. Bashkohen në parkun që shtrihet përgjatë rrugës qendrore, aty ku janë të vendosur – për shumëkënd kundërthënshëm – shtatore e buste për viktimat dhe heronjtë e luftërave të shekullit njëzet. Por pakkush mund ta dijë historinë e re të rrethinës më mirë se pleqtë që plakin ditë afër figurave historike të derdhura në bronz, shkruan sot Koha Ditore.
Lufta e ushtarëve në tabelën e shahut shoqërohet me debate të ashpra, por miqësore, shkaku i historisë që përfaqësojnë shtatoret. Vendimet politike reflektohen në të gjitha muhabetet pa dorashka të pensionistëve. Krejt së fundi, pleqtë e parkut po diskutojnë më shpesh për planet e Komunës së Gjilanit që ta zgjerojë rrugën qendrore në kurriz të rripit të gjelbër – aty ku ata luajnë shah e letra pa ia vënë veshin zhurmës së makinave.
Mjafton që muhabeti të sillet nga muzika që Qazim Maloku, 84 vjeç, t’ia thotë këngës.
“E dua këngën, vallëzimin, letërsinë”, thekson Maloku fytyrëqeshur.
Plaku menjëherë mbledh pak shpatullat dhe drejton trupin. Me dorën e djathtë mbahet për bastuni e merr qëndrim serioz para se të fillojë me vargjet e “Pasha sytë e mi” të Rizah Bllacës, të cilit shumëkush i referohet si Homeri kosovar.